Vodhi në banesën e një shtetasi, para dhe sende (bizhuteri) me vlerë të konsiderueshme, kapet disa orë pas kryerjes së vjedhjes dhe arrestohet 46-vjeçari.
Ky shtetas, i dënuar më parë për të njejtën veprimtari kriminale.
Sekuestrohen paratë dhe sendet e vjedhura.
Si rezultat i reagimit të menjëhershëm të shërbimeve të Komisariatit të Policisë Gjirokastër, për një rast vjedhjeje të kryer në një banesë në fshatin Vanistër, Dropull, u organizua dhe u finalizua operacioni policor i koduar “Vlera”.
Në kuadër të këtij operacioni, u identifikua dhe u kap pak orë pas kryerjes së vjedhjes, autori i dyshuar i saj, shtetasi A. M., 46 vjeç, banues në Berat.
Nga veprimet hetimore dhe operacionale dyshohet se 46-vjeçari, më datë 21.04.2023, ka vjedhur në banesën e një shtetasi, në fshatin Vanistër, Dropull, një sasi të konsiderueshme parash, 9 ora dore, 13 varëse, 9 byzylykë dhe bizhuteri të tjera.
Sendet dhe paratë e vjedhura u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Vijon puna për zbardhjen e vjedhjeve të tjera të kryera nga ky shtetas.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.