Fushë-Krujë – Zbardhet ngjarja e ndodhur mbrëmjen e djeshme, ku u dhunua fizikisht, me sende të forta 39-vjeçari I. Ç.

Autorët e dyshuar, dy vëllezërit nga fshati Derven, njëri prej të cilëve, shtetasi E. L., 24 vjeç është kapur mbrëmjen e djeshme gjatë operacionit policor të koduar “Derveni”.
Vëllai tjetër, shtetasi D. L., 27 vjeç, është shpallur në kërkim dhe po vijon puna për kapjen e tij.
Strukturat Hetimore të Komisariatit të Policisë Krujë, pas njoftimit të marrë për ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e djeshme, ku dy shtetas kishin dhunuar fizikisht shtetasin I. Ç., i cili ka deklaruar se nuk i kishte njohur, si pasojë e errësirës, kanë organizuar punën, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Krujë, për zbardhjen e kësaj ngjarjeje.
Si rezultat i veprimeve hetimore të kryera, paraditen e sotme, është bërë e mundur zbardhja e ngjarjes, ku ka rezultuar se:
Shtetasit E. L., dhe D. L., vëllezër, banues në fshatin Derven, rreth orës 18:30, në aksin rrugor Fushë Krujë – Rinas, në vendin e quajtur “Ura e Gjoles”, me automjetin e tyre i kanë bllokuar rrugën automjetit, me të cilin udhetonte shtetasi I. Ç., 39 vjeç, dhe e kanë goditur këtë të fundit me sende të forta duke i shkaktuar dëmtime të rënda fizike, i cili ndodhet në spital për ndihmë mjekësore.
Shtetasi E. L., është arrestuar mbrëmjen e djeshme, në kuadër të operacionit policor të koduar “Derveni”, ndërsa vëllai i tij shtetasi D. L., është shpallur në kërkim dhe vijon puna për kapjen e tij.
Nga veprimet e para hetimore ka rezultat se mes shtetasve I. Ç., dhe vëllezërve E. L., e D. L., ka pasur konflikte të mëparshme.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Plagosje e rënde me dashje”, e kryer ne bashkëpunim.