FJALA PËRSHËNDETËSE E DREJTORIT TË PËRGJITHSHËM TË POLICISË SË SHTETIT, ME RASTIN E 50-VJETORIT TË AKADEMISË SË SIGURISË

I nderuar zoti zëvendësministër i Brendshëm,

Të nderuar përfaqësues të misioneve policore të vendeve partnere,

Të nderuar ish-drejtues të Akademisë,

Të nderuar kolegë dhe pjesëmarrës,

Në jetën profesionale të gjithkujt, por edhe në atë personale, pa dyshim që shënjohen momente kulmore. Një ndër ato kulme mendoj se po e përjetojmë e kremtojmë së bashku sot. Për të gjithë ne që mbajmë veshur dhe na është besuar uniforma e detyra e shenjtë në Policinë e Shtetit, festimi i 50-vjetorit të krijimit të institucionit të arsimit të lartë policor, përbën në vetvete një ngjarje që bën bashkë shumë nga gjeneratat të cilat në një ditë si kjo, kurorëzojnë përpjekjet dhe arritjet e merituara në këtë fushë.

Me ngritjen dhe forcimin e mëtejshëm të kësaj strukture unike dhe tejet përfaqësuese për arsimin e lartë policor, vendi ynë nuk krijoi vetëm një marrëdhënie të qëndrueshme dhe të afërt me shoqërinë, por veçanërisht në dekadat e fundit i dha shtetit shqiptar edhe një përmasë më të konsoliduar dhe integruese.

Tanimë ky përvjetor jubilar para së gjithash nuk dëshmon vetëm dhe thjesht traditën e krijuar, përmbi çdo gjë ai shpalos një histori të tërë, të krijuar dhe shtrirë bindshëm me të gjithë elementwt që e konturojnë si të tillë.

Në përgjegjësinë që më është ngarkuar së fundmi në detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, këtë ceremoni e vlerësoj si një akt solemn i cili na ka bashkuar sot këtu në Akademinë e Sigurisë, ne ish-studentëve, pedagogëve dhe drejtuesve në vite të këtij institucioni, me studentët dhe personelin e tanishëm akademik, tanimë të gjithë misionarë të një kauze të përbashkët.

Të nderuar pedagogë, kolegë e studentë, për mua është kënaqësi dhe nder që gjendem këtu me ju dhe si ish-student, jo pa emocion, kam nderin t’ju përshëndes në emër të Policisë së Shtetit.

Historia e zhvillimit të arsimit policor është e lidhur ngushtë me historinë e Policisë së Shtetit në këto 50 vite. Ky institucion u dha dijet e nevojshme shumë gjeneratave, të cilat do të definonin të ardhmen e Policisë së Shtetit dhe të vetë Akademisë. Garantoi cilësinë në arsim, garën për dije dhe dijen si vlerë.

Në themelet e këtyre arritjeve dhe sukseseve të kësaj Akademie është kontributi i qindra grave dhe burrave që kanë shërbyer si profesorë, asistentë, bashkëpunëtorë shkencorë apo punonjës të administratës së Akademisë, por sigurisht edhe i atyre që kanë studiuar këtu.

Sot në këtë përvjetor është detyrimi ynë të kujtojmë, nderojmë dhe falënderojmë përzemërsisht të gjithë kontributorët, për angazhimin profesional, përkushtimin maksimal dhe sigurisht për rezultatet që kanë arritur në zhvillimin dhe modernizimin e arsimit policor.

Rrugëtimi i kësaj akademie nuk ka qenë i lehtë, por ecja me optimizëm përmes tronditjeve dhe pasigurive të krijuara në këto vite të gjata tranzicioni, vetëm se e kaliti këtë institucion, duke e bërë edhe më të shëndetshëm.

Në këtë 50-vjetor, të gjithë ne brezat e diplomuar kemi të drejtë të ndihemi krenarë për mijëra studentë që kanë dalë nga kjo akademi, të cilët i kanë shërbyer dhe po i shërbejnë vendit për forcimin e rendit e sigurisë publike dhe rritjen e luftës pa kompromis kundër krimit, korrupsionit e trafiqeve.

Të nderuar miq,

Përmirësimi i sistemit të arsimit, edukimit dhe kualifikimit policor që ne kemi ndërmarrë, ka për qëllim që të përgatitë punonjës policie të aftë profesionalisht, për t’i ofruar publikut një shërbim cilësor, të paanshëm dhe demokratik.

Për të përmbushur me sukses misionin dhe përgjegjësitë institucionale, Policia e Shtetit i ka vënë detyrë vetes të përmirësojë në vazhdimësi standardet dhe performancën e organizatës tonë, duke synuar në:

• Zhvillimin e një sistemi arsimor policor të bazuar në standardet e vendeve euroatlantike, i cili është i aftë për t’u dhënë shanse të barabarta të gjithë punonjësve të policisë;
• Aplikimin e një sistemi trajnimi të vazhduar, bazuar në parimin e të mësuarit gjatë gjithë jetës;
• Ndjekjen e ecurisë në karrierë nëpërmjet shkollimit dhe trajnimit;
• Kryerjen e trajnimit të vazhdueshëm profesional të punonjësve të Policisë në detyrë.

Një sistem arsimimi dhe trajnimi i dizajnuar mirë bën të mundur që punonjësit e Policisë të kenë një përgatitje të vazhdueshme profesionale dhe i udhëzon ata të përmbushin qëllimet dhe pritshmëritë e organizatës tonë.

Në hartimin e politikave të arsimit, edukimit dhe kualifikimit të personelit të Policisë së Shtetit, janë marrë parasysh shumë faktorë: si mjedisi i jashtëm dhe i brendshëm; kemi analizuar të kaluarën dhe të tashmen, si dhe kemi hedhur vështrimin në plotësimin e synimeve që parashikohen në planet e strategjitë afatgjata.

Këto politika kanë në fokusin e tyre, përmirësimin e këtij sistemi dhe vënien e tij në nivele bashkëkohore, me qëllim që të përgatiten punonjës policie të mirëshkolluar, më të disiplinuar e informuar dhe të trajnuar profesionalisht, në përputhje me përgjegjësitë që ushtrojnë, duke garantuar standard të lartë në kryerjen e detyrave e respektimin e të drejtave të njeriut.

Festimet e këtij 50-vjetori dhe atmosfera e përbashkët nuk do të mbeten e të shërbejnë vetëm si kujtim i kësaj date. Përkundrazi, Policia e Shtetit ka nevojë për të gjitha kapacitetet akademike, partnerët vendorë dhe ata ndërkombëtarë, për të hartuar dhe vënë në zbatim politikat sektoriale, strategjitë zhvillimore dhe integruese. Falë kësaj fryme që do të përshkojë sot e në të ardhmen strukturat tona me bashkërendimin e hapave të mëtejshëm, kam bindjen se do të bëjmë të mundur shndërrimin e kësaj akademie në një institucion publik të arsimit të lartë, lider në fushën e policimit dhe sigurisë, jo vetëm në interes të Policisë së Shtetit, por të të gjithë agjencive ligjzbatuese dhe subjekteve publike e private që operojnë në fushën e sigurisë.

Në përfundim dëshiroj të falënderoj të gjithë stafin akademik dhe administrativ, ato breza dhe personalitete, të cilët përgjatë kësaj periudhe kanë kontribuar në lartësimin e emrit të kësaj Akademie.

Gjithashtu, dëshiroj që në emër të Policisë së Shtetit të përshëndes dhe falënderoj partnerët ndërkombëtare si: Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bashkimin Evropian, OSBE, misionet ICITAP e PAMECA, si dhe përfaqësuesit e policive të vendeve partnere, për ndihmën dhe kontributin e veçantë që kanë dhënë dhe po japin për modernizimin e Akademisë së Sigurisë dhe Policisë Shqiptare në tërësi.

E nesërmja, padiskutim do të jetë më reflektuese, më e sigurt dhe më e paqtë për ne si shoqëri dhe për gjeneratat që do të ecin në gjurmët e asaj që brezat krijuan dhe po vijojmë të ndërtojmë hap pas hapi.

Ju faleminderit!