Fjala e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Drejtues Madhor Ilir Proda, gjatë prezantimit të sondazhit të IDRA “Kënaqësia e publikut me punën e Policisë”, që mat perceptimin e qytetarëve për sigurinë publike.
I nderuar Zoti Kryeministër,
I nderuar Zoti Ambasador i Suedisë,
I nderuar Zoti Kryetar i Komisionit të Sigurisë,
I nderuar Zoti Ministër i Brendshëm,
Të nderuar pjesëmarrës,
Policia e Shtetit, padyshim ka qenë dhe është në qendër të vëmendjes së qeverisë shqiptare, por veçanërisht veprimtaria jonë pasqyrohet në sytë e publikut.
Prandaj theksoj se vlerësimi i jashtëm i organizatës është mjaft i rëndësishëm, e njëkohësisht me një domethënie të vecantë edhe për ne, sidomos kur ky proces realizohet në mënyrë të pavarur, nga organizma kaq prestigjozë.
Gjatë viteve 2023 dhe 2024, Policia e Shtetit ka synuar në rritjen e parametrave të sigurisë në përgjithësi, dhe atë në shkolla e komunitet në veçanti. Është kënaqësi për cdo anëtar të organizatës sonë, të shohim që publiku e vlerëson sigurinë në Shqipëri, në nivele të larta, 82%, e cila është shumë pranë mesatares së BE-së.
Sfidë më vete ka qenë menaxhimi i numrit të shtuar të turistëve në vendin tonë. Më parë kemi thënë sezon turistik, por tashmë jemi përballë “Vitit Turistik”, pasi gjatë gjithë vitit kemi praninë e turistëve në Shqipëri. Janë të shumtë ata që e kanë ndjerë praninë e Policisë si në kohë normale ashtu dhe momente të vështira në terrene të rrezikshme. Kjo lidhet me vlerësimin e publikut, “Sa mirë Policia po i kryen detyrat e veta?”, ku 65% vlerëson se Policia po bën një punë të mirë/shumë të mirë.
Nga viti në vit, konstatojmë se besimi i komunitetit tek Policia po rritet. Këtë e shohim në opinionin e publikut në punën parandaluese që bën Policia, qoftë në parandalimin e vjedhjeve, krimet e dhunshme apo shkeljet rrugore. Mbështetur në rezultatet e anketave në vazhdimësi, kemi ndryshuar mënyrën e punës së Policisë Rrugore, me synim parandalimin. Vlerësojmë pajisjen me radarë automatik nga ana e Programit Suedez për Policinë Rrugore.
Policia këto vite, është më e lidhur me njerëzit, ajo është pjesë e këtij komuniteti, dhe komuniteti e sheh veten si faktor i rëndësishëm në ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike.
Në vlerësimin e kënaqësisë së publikut me punën e Policisë, gjithmonë kemi thënë që “kemi bërë detyrën“, por sinqerisht unë falënderoj punonjësit e Policisë që janë çdo ditë në kontakt me komunitetin, për punën profesionale dhe përkushtimin që tregojnë në detyrë ditë pas dite. Nga anketimi rezulton që 64% e publikut do ishte i gatshëm të njoftonte Policinë në rast të një shkeljeje. Megjithëse ky trend është në rritje, ne synojmë që dhe 34% e publikut që është hezitues për bashkëpunim, të jetë pjesë e përpjekjes për rritjen e sigurisë në komunitet.
Lidhur me gjetjet që kanë të bëjnë me performancën e punonjësve të Policisë të të gjitha niveleve, ne kemi bazë ligjore e procedura të plota, por synojmë që zbatimi i tyre të jetë më i lartë në përqindje, duke ulur aktet korruptive dhe konfliktin e interesit. Perceptimi i korrupsionit është ulur nga 74%, në vitin 2013, në 53% në vitin 2024, këtu vlen të përmendet si faktor pozitiv ndikimi i ngritjes së pagave për punonjësit e Policisë, si dhe shumë iniciativa të qeverisë për rritjen e trajtimit financiar të tyre.
Rezultatet e këtij anketimi do të jenë pjesë e strategjive dhe programeve të punës së Policisë së Shtetit.
Në përfundim, falënderoj partnerët për mbështetjen e vazhdueshme për arritjen e objektivave të përbashkët në fushën e sigurisë.
Është nder për mua, që përfaqësoj armatën e grave dhe burrave, që mbajnë veshur uniformën e Policisë, te cilët me punën dhe përkushtimin e tyre, kanë bërë realitet, prioritetet e qeverisë, lidhur me rendin dhe sigurinë.
Faleminderit!