Fjala e Drejtorit të Përgjithshem të Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ilir Proda, gjatë konferencës së përbashkët me partnerët e GDF-së, mbi rezultatet e luftës kundër kultivimit të Cannabisit, gjatë vitit 2024
I nderuar Shkëlqesi Ambasador z. Fabrizio Bucci,
I nderuar Gjeneral Brigade z. Giampiero Ianni,
I nderuar Gjeneral Brigade z. Luigi Vinciguerra,
I nderuar Gjeneral Brigade z. Vincenzo Caci,
Organizimi i konferencës së përbashkët mes Policisë së Shtetit dhe kolegëve italianë, për të evidentuar dhe pasqyruar rezultatet dhe arritjet e përbashkëta për parandalimin dhe luftën kundër veprimtarisë kriminale të kultivimit të lëndëve narkotike, për vitin 2024, nuk është thjeshtë një traditë shumëvjecare apo një detyrim i radhës, por është përgjegjësi dhe vlerësim për çfarë kemi arritur dhe çfarë duhet të bëjmë më shumë në këtë drejtim.
Lufta kundër kultivimit, prodhimit dhe trafikimit të kanabisit është një ndër prioritetet kryesore të Policisë së Shtetit, e cila përgjatë vitit 2024 u angazhua maksimalisht në përmbushjen e prioriteteve dhe masave të përcaktuara në dokumentet strategjike, veçanërisht të Strategjisë Kundër Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda 2021-2025 dhe Planit të Veprimit, në zbatim të kësaj strategjie.
Bazuar në këto dokumente strategjike, si dhe në analizën e problematikave të identifikuara gjatë vitit 2023, dhe gjatë viteve të mëparshme, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit hartoi dhe zbatoi planin e veprimit “Për parandalimin dhe luftën kundër veprimtarisë kriminale të kultivimit të narkotikëve, për vitin 2024”.
Puna e Policisë në këtë kuadër përfshiu hartimin e planeve të masave, e planeve të monitorimit, si dhe planeve të operacioneve, në nivel qendror dhe vendor.
Prioritet kryesor ishte veprimi i përbashkët ndërinstitucional dhe bashkëpunimi ndërkombëtar për arritjen e rezultateve të qëndrueshme në drejtim të parandalimit të kultivimit të lëndëve narkotike, si dhe të identifikimit, zbulimit dhe goditjes së grupeve e rrjeteve kriminale aktive, në fushën e kultivimit e trafikimit të kanabisit, si dhe nxjerrjen e autorëve të kësaj veprimtarie, përpara përgjegjësisë penale.
Plani i veprimit u fokusua në këto drejtime kryesore:
-Sensibilizimin e komuniteteve të përfshira;
-Kontrollin e pandërprerë të territorit, duke synuar parandalimin dhe goditjen që në fazën e parë të kultivimit;
-Intensifikimin e veprimtarisë informative-gjurmuese dhe asaj hetimore për zbulimin dhe goditjen e aktivitetit kriminal të tregtimit të farave të bimëve narkotike dhe organizatorëve të kultivimit e trafikimit të lëndës narkotike kanabisit sativa;
-Rritjen e bashkëpunimit me pushtetin vendor, Ministrinë e Mbrojtjes dhe të gjithë aktorët e tjerë të përfshirë në Planin e Veprimit, si dhe rritjen e bashkëpunimi ndërkombëtar, kryesisht me partnerët italianë;
-Identifikimin dhe ndëshkimin e punonjësve të administratës dhe atyre në radhët e Policisë, të cilët neglizhojnë ose bashkëpunojnë në forma të ndryshme në kultivimin e bimëve narkotike.
Vëmendje të veçantë për vitin 2024, i kushtuam fushatës sensibilizuese, nëpërmjet përfshirjes së gjerë të qytetarëve në procesin e informimit, nëpërmjet ndërgjegjësimit, si krijimit të mundësive praktike për dhënien e informacionit nga qytetarët.
Në këtë këndvështrim janë organizuar takime sensibilizuese, konferenca, deklarata për shtyp etj. Kontributin më të madh në sensibilizimin e komunitetit e kanë dhënë institucionet arsimore. Në këto takime, të gjitha institucionet shtetërore, administratorët e njësive vendore, agjencitë rajonale të mjedisit, pyjores, bizneset private, zjarrfikësit, Policia Bashkiake dhe Shërbimi Privat i Sigurisë Fizike, morën përgjegjësinë e tyre për detyrimet ligjore që ata kanë në këtë fushë.
Krahas sensibilizimit filloi kontrolli periodik i territorit për identifikimin e zonave të kultivuara me bimë narkotike. Siguruam informacion dhe goditëm mbjelljen e fidanëve dhe kultivimin e kanabisit në sera diellore, magazina, shtëpi të braktisura, tunele të braktisura dhe çdo mjedis tjetër i mundshëm për përdorim nga grupet kriminale.
Edhe këtë vit, kemi ndarë zonat e kontrollit dhe përgjegjësive, duke organizuar grupe përgjegjëse për territore konkrete, nga qendra në bazë, ku çdo punonjës policie kishte përgjegjësi për një territor të caktuar.
-Në total për vitin 2024, Policia e Shtetit ka kryer gjithsej 216 280 kontrolle dhe janë kryer 341 520 orë shërbimi;
-Është intensifikuar kontrolli i territorit nëpërmjet përdorimit të dronëve, ku për vitin 2024, janë përdorur 51 dronë, duke rritur numrin e këtyre pajisjeve të teknologjisë së fundit, nga 38 që ishin në vitin e kaluar dhe vitet e mëparshme.
-Në kuadër të monitorimit ajror të territorit, për këtë vit janë kryer 185 orë fluturimi.
Gjatë vitit 2024 u pasurua harta digjitale e krijuar më parë me të dhënat më të fundit për tokat, zonat pyjore etj, ku kultivoheshin bimë narkotike ndër vite ose mund të kultivoheshin potencialisht gjatë vitit 2024.
Ka vijuar zbatimi dhe funksionimi i sistemit elektronik “GIS-NARKOTIK”, të Policisë së Shtetit. Ky sistem ofroi të dhëna të plota dhe mundësoi raporte analitike për:
-Kontrollin e territorit;
-Informacionin e paraqitur nga agjenci të tjera ligj-zbatuese, ndjekjen dhe gjurmimin e këtij informacioni;
Raportet e monitorimit ajror dhe gjurmimit në terren të këtyre të dhënave;
-Rastet dhe vendet e kultivimit të bimëve narkotike.
Ishte e rëndësishme marrja, vlerësimi dhe analizimi i informacionit policor, pasi përmes orientimit të burimeve të informacionit, Policia ndërtoi punën e saj dhe kontrolloi personat me precedentë penal duke nisi hetimet proaktive, si më poshtë:
-Për vitin 2024 janë marrë dhe trajtuar 5506 informacione policore për kultivimin e bimëve narkotike;
-Janë ndjekur 103 përgjime parandaluese për subjektet e dyshuara për veprimtari kriminale të kultivimit të bimëve narkotike;
-Janë referuar dhe ndjekur 119 procedime proaktive me metoda speciale të hetimit kundër kultivimit të bimëve narkotike;
-Janë evidentuar 35 raste të sekuestrimit të farave të kanabis sativa, për të cilat janë sekuestruar 45 351 fara të bimës kanabis sattiva, nga 8 raste me 16 712 fara në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Një ndër objektivat e vendosur në fillim të vitit 2024, ka qenë parandalimi dhe goditja e tendencës të shfaqur kohët e fundit, kultivimit të bimëve narkotike në objekte të mbyllura (shtëpi bari) të përshtatura nëpërmjet instalimit të impianteve të posaçme elektrike dhe të ajrimit.
Nëpërmjet vlerësimit të situatës, marrjes dhe analizimit të informacioneve dhe bashkëpunimit me Institucionin e Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, gjatë këtij viti u bë e mundur evidentimi i 2 rasteve që në fazën e krijimit të ambientit me llamba dhe goditja e 5 rasteve të kultivimit në ambiente të mbyllura.
Gjatë goditjes së tyre janë gjetur dhe asgjësuar 381 bimë narkotike dhe 3040 fidanë në kubikë të kësaj bime.
Gjithashtu, janë proceduar penalisht 29 shtetas të implikuar, nga të cilët 18 autorë kultivimi, 9 punonjës të OSHEE-së, 1 kryetar fshati për shpërdorim të detyrës dhe 1 qytetar për moskallëzim të krimit.
Një drejtim tjetër i punës sonë ka qenë forcimi i kapaciteteve të njësive të specializuara për luftën kundër drogës përmes trajnimeve, vlerësimit të informacionit dhe pajisjes me mjetet e nevojshme.
Një vëmendje e veçantë i është kushtuar bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë, duke e parë problematikën e kultivimit të kanabisit si një shqetësim real rajonal dhe ndërkombëtar. Ne kemi vendosur tashmë standardin e bashkëpunimit nëpërmjet shkëmbimit të përvojës dhe informacionit me policitë e vendeve të rajonit.
Suksesi i viteve të fundit është arritur edhe falë bashkëpunimit të shkëlqyer me partnerët italianë.
Ky bashkëpunim edhe gjatë këtij viti u konkretizua me zbatimin e Protokollit Operacional të nënshkruar më datë 18 shkurt 2021, midis Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit Shqiptar dhe Departamentit të Sigurisë Publike të Ministrisë së Brendshme në Itali. Edhe gjatë këtij viti nga Guardia di Finanza, aktiviteti i monitorimit ajror u krye me helikopter dhe avionin, të pajisur me sisteme të teknologjisë së fundit.
Ndaj, këtu gjej rastin të ndalem dhe të falënderoj qeverinë italiane, Ministrinë e Brendshme dhe taksapaguesit italianë që dhanë kontributin dhe ndihmën e tyre për popullin shqiptar dhe Policinë e Shtetit gjatë gjithë këtyre viteve. Gjithashtu falënderoj Departamentin e Sigurisë Publike, Misionin Interforce, Guardia di Finanza-n dhe të gjithë kolegët italianë të angazhuar në këtë luftë të përbashkët.
Në muajin maj 2024, Guardia di Finanza filloi fluturimet ajrore të monitorimit. Janë kryer gjithsej 62 misione fluturimi, 185 orë fluturimi. Në total për vitin 2024, nga monitorimi ajror, janë identifikuar dhe asgjësuar 109 104 bimë narkotike krahasuar me 108 282 bimë narkotike kanabis sativa të identifikuara dhe asgjësuara gjatë vitit 2023.
Të gjitha kordinatat e dhëna nga misionet e fluturimit të GDF-së janë verifikuar me korrektësi e përgjegjësi nga shërbimet e Policisë, duke shprehur edhe njëherë bashkëpunimin bazuar në besueshmëri dhe profesionalizëm mes Policisë së Shtetti dhe GDF-së.
Policia e Shtetit ka vijuar luftën frontale kundër veprimtarisë krimianle në fushën e narkotikëve. Është bërë punë të pandërprerë për goditjen e këtij aktiviteti kriminal nëpërmjet zhvillimit të operacioneve për asgjësimin e bimëve narkotike dhe kryerjes së veprimeve procedurale për vënien para përgjegjësisë ligjore të autorëve. Më konkretisht, gjatë këtij viti:
-Kemi evidentuar 662 vepra penale për kultivimin e bimëve narkotike, nga të cilat 549 janë raste kultivimi dhe 113 procedime proaktive;
-Janë implikuar në këtë veprimtari kriminale 184 shtetas nga të cilët 128 janë ndaluar apo arrestuar në flagrancë;
-Janë identifikuar dhe asgjësuar 262 409 bimë kanabisi dhe 89 152 fidanë kanabis.
Të nderuar pjesëmarrës,
Shembull i vendosmërisë së punës sonë, për përmbushjen e detyrimeve të “Planit të Veprimit në Luftën Kundër Kultivimit të Bimëve Narkotike”, është procedimi penal i 103 zyrtarëve vendorë, administratorëve të njësive administrative, kryetarëve të fshatrave dhe inspektorëve të shërbimit pyjor etj, për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Moskallëzimi i krimit”.
Serioziteti i analizës dhe vlerësimit të situatës, gjetja e mënyrave efikase të bashkëpunimit me të gjithë faktorët dhe aktorët, bashkëpunimi i ngushtë me partnerët ndërkombëtarë dhe veçanërisht me ata italianë, kanë kontribuar në rritjen e treguesve të punës së policisë dhe arritjen e rezultateve të qëndrueshme në luftën kundër kultivimit e trafikimit të bimës narkotike kanabis sativa.
Aktualisht, kemi përqendruar punën tonë kryesisht, në luftën kundër kultivimit të bimëve narkotike në ambientet e mbyllura, si dhe trafikimit të këtyre bimëve.
Për vitin 2025, puna e Policisë së Shtetit ka filluar që sot dhe do të përqendrohet në:
-Grumbullimin e informacioneve për individë ose grupe kriminale që importojnë fara të bimës narkotike kanabis sativa, me qëllim fillimin e hetimeve proaktive dhe goditjen e këtij aktiviteti kriminal që në fazën fillestare;
-Mbi bazën e hartës digjitale dhe analizën e riskut, do të ushtrohen kontrolle periodike si në ambientet e hapura edhe në ato të mbyllura, me qëllim goditjen e këtij aktiviteti kriminal;
-Forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ndërinstitucional dhe ndërkombëtar;
-Nisur nga shtimi i rasteve të konstatuara të kultivimit në ambiente të mbyllura do t’i kushtohet rëndësi e veçantë marrjes, verifikimit dhe ndjekjes së informacioneve policore, për individë apo grupe kriminale të përfshirë në këtë aktivitet kriminal.
Me masat që kemi marrë dhe po zbatojmë, si dhe duke vlerësuar treguesit e arritur, shpreh bindjen e organizatës që drejtoj, se në vijim do të konsolidojmë dhe thellojmë rezultatet kundër kultivimit dhe trafikimit të kanabisit.
Dua të garantoj të gjithë qytetarët dhe partnerët, se Policia e Shtetit, në bashkëpunim me agjencitë ligjzbatuese është e motivuar dhe e angazhuar maksimalisht për të çuar përpara këtë luftë me energji të reja.
Beteja bëhet përditë e më e fortë, sepse synon goditjen e aseteve të përfituara nga kjo veprimtari kriminale, identifikimin dhe arrestimin e organizatorëve dhe financuesve të kësaj veprmtarie.
Është bërë një punë e mirë në këtë drejtim, por asnjëherë nuk është mjaftueshëm dhe për këtë ne jemi të motivuar dhe të angazhuar maksimalisht për të thelluar veprimet parandaluese dhe proaktive për ta goditur jo vetëm këtë veprimtari kriminale por në cilëndo fushë që ato shfaqen.
Besimi dhe mbështetja e partnerëve dhe agjencive ligjzbatuese brenda dhe jashtë vendit, si dhe angazhimi, profesionalizmi, integriteti dhe vendosmëria e Policisë së Shtetit pa diskutim që në vijim do sjellin rezultate akoma edhe më të mira në luftë kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve të paligjshme.
Faleminderit për vëmendjen!