Fjala e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Drejtues Madhor Ilir Proda, në ceremoninë për 112-vjetorin e Policisë shqiptare.
Të nderuar familjarë të Dëshmorëve të Policisë,
I nderuar kryetar i Komisionit të Sigurisë Kombëtare,
I nderuar z. Ministër i Brendshëm,
Të nderuar përfaqësues të misioneve ndërkombëtare që asistoni Policinë e Shtetit,
Të nderuar veteranë, kolegë dhe të ftuar,
Të dashur qytetarë,
Sot, më 13 janar, mblidhemi për të shënuar një moment të rëndësishëm në historinë e atdheut tonë, 112-vjetorin e themelimit të Policisë shqiptare. Kjo ditë na kujton jo vetëm rrugëtimin historik të kësaj strukture të rëndësishme, por edhe përkushtimin dhe sakrificat që breza të tërë të punonjësve të Policisë kanë bërë ditë pas dite, për 112 vjet, për të garantuar sigurinë dhe mirëqenien e qytetarëve shqiptarë.
Në vitin e largët 1913, kryeministri i qeverisë së përkoshme të Vlorës, Ismail Qemali, urdhëroi krijimin e forcave të Policisë dhe Xhandarmërisë, besoj me vizionin se po i jepte jetë krijimit të njërit prej institucioneve më të rëndësishme të shtetit të sapoformuar. Padyshim, në rrjedhën e ngjarjeve dhe të viteve, Policia e Shtetit shqiptar e ka provuar me vepra se ka qenë dhe mbetet njëra nga shtyllat kryesore të shtetit tonë. Ajo ka kaluar sfida të shumta, ka përballuar kohë të vështira dhe ka ndryshuar bashkë me zhvillimin e shoqërisë dhe të shtetit shqiptar.
Rrugëtimi në kohë përgjatë 112 viteve nuk ka qenë kurrsesi i lehtë. Gjaku dhe vepra e 227 Dëshmoreve të Policisë, si dhe sakrifica e dhjetëra brezave që shërbyen në radhët e saj, një pjesë e tyre veteranë të nderuar që sot ndodhen në këtë sallë, është dëshmia më e qartë se organizata jonë e ka krijuar me vetëmohim të ardhmen e saj.
Me privilegjin që më jep detyra si Drejtor i Përgjithshëm për t’ju drejtuar të gjithë juve, kam nderin të bëj publik një reflektim që e përjetoj çdo datë 13 janar dhe të shpalos me zë të lartë mirënjohjen tonë të pakufishme për veprën e secilit prej 227 dëshmorëve tanë. Vepra e tyre është e paharrueshme dhe do të jehojë në breza si frymëzim për të gjithë ne dhe ata që do të kenë nderin të shërbejnë në të ardhmen në këtë organizatë.
Në këto 112 vjet histori, jemi karakterizuar gjithnjë nga procese paralele, të cilat kanë synuar ridimensionimin e imazhit dhe marrëdhënies sonë me qytetarët, por dhe normat mbi të cilat kemi kryer detyrat dhe kemi bashkëpunuar me njëri-tjetrin. Sot, Policia nuk është ajo e djeshmja.
-Së pari, punojmë, veprojmë dhe i kryejmë detyrat tona në kushte më të mira logjistike, me paraqitje të denjë përballë qytetarëve, të asistuar nga pajisje të teknologjisë bashkëkohore dhe me një kuadër të ri ligjor, që adreson nevojat dhe aspiratat e punonjësve të Policisë. Për këto procese modernizimi gjej rastin të shpreh mirënjohje për Ministrinë e Brendshme dhe për qeverinë shqiptare, të cilat kryesisht gjatë dekadës së fundit, i kanë dhënë Policisë, prioritetin e merituar përsa i përket buxhetit, fondeve, projekteve dhe investimeve.
-Së dyti, intensifikimi i bashkëpunimit me qytetarët na ka bërë aleatë dhe më të ngushtë me ta dhe punojmë çdo ditë për shndërrimin e imazhit të punonjësit të Policisë nga burim frike në mik, garant dhe model.
-Së treti, jam shumë krenar që në çdo diskutim dhe tryezë profesionistësh, dëgjoj lëvdata dhe respekt nga kolegë amerikanë, gjermanë, britanikë, italianë, spanjollë, dhe nga e gjithë bota, për policinë tonë. Këtë vit e festojmë datëlindjen duke mbajtur edhe stafetën e presidencës së Shoqatës së Shefave të Policisë të Evropës Juglindore. Kemi medaljen e artë të bashkëpunëtorëve të ngushtë të Policisë britanike, mbështetjen e pakushtëzuar të partnerëve tanë strategjikë, donacione dhe aksione policore gjithnjë e në rritje me homologët tanë.
Këto gurë të rëndësishëm për historinë e Policisë së Shtetit janë tregues të besimit të partnerëve te ne, i cili nuk është dhuruar, por është fituar me punë konkrete, profesionalizëm, besueshmëri, reciprocitet dhe këmbëngulje. Secili prej partnerëve tanë është një aset për ne, të cilin duhet ta shfrytëzojmë me mençuri dhe mirëbesim, për ta përkthyer në dobi të punës sonë të përditshme.
Veçanërisht, të rëndësishëm për Policinë e Shtetit, janë më të rinjtë e armatës sonë. Qindra djem dhe vajza, të cilët ndërmarrin çdo vit misionin për të qenë punonjës policie, tashmë dhe me një mundësi me shumë për të ndjekur studimet e larta në Fakultetin e Sigurisë dhe Hetimit në Akademinë e Sigurisë.
Ky mision kërkon vetëdije të lartë, guxim, vendosmëri dhe ndërgjegje, ndaj jam i lumtur që çdo vit e më shumë Policia po konsiderohet zgjedhja e parë e të rinjve. I inkurajoj përzemërsisht ata që kur të mbajnë veshur uniformën, të jenë versioni më i mirë i vetes dhe modeli më i mirë i shoqërisë.
Sot, Policia e Shtetit është një institucion modern, që synon të jetë sa më pranë vlerave europiane, në shërbim të qytetarëve dhe të respektojë standardet më të larta të profesionalizmit dhe integritetit. Ky transformim nuk do të ishte i mundur pa përkushtimin e mijëra burrave dhe grave që kanë veshur uniformën e Policisë, duke e shndërruar atë në simbol të sigurisë dhe ligjit.
Të dashur punonjës të Policisë,
Në këtë ditë të veçantë, dëshiroj të shpreh mirënjohjen dhe falënderimet më të sinqerta për punën tuaj të palodhur, për guximin dhe sakrificat që bëni çdo ditë. Ju jeni shembull i përkushtimit dhe i patriotizmit. Mbi supe keni një detyrë të shenjtë, të mbani të sigurtë qytetarët tanë, të mbroni rendin dhe të jeni gjithnjë në krah të së drejtës.
112 vite histori janë dëshmi e rrugëtimit tuaj, por edhe një angazhim për të ardhmen. Kjo ditë nuk është vetëm një moment festimi, por edhe një mundësi për të reflektuar mbi përgjegjësitë që na presin përpara. Le të punojmë së bashku për të forcuar më tej besimin e qytetarëve te Policia e Shtetit dhe për të ndërtuar një të ardhme më të sigurtë dhe më të drejtë për të gjithë.
Urime për këtë përvjetor të rëndësishëm!
Lavdi Dëshmorëve të Policisë, lavdi Dëshmoreve të Atdheut!
Rroftë Policia e Shtetit shqiptar!
Faleminderit!