Policia e Shtetit/Operacione të njëpasnjëshme me partnerët spanjollë, për lokalizimin, kapjen dhe arrestimin e shtetasve të shpallur në kërkim për llogari të 2 shteteve.
Finalizohet nga Policia e Spanjës, pas sigurimit të informacionit nga Policia e Shtetit, operacioni policor i koduar “Four”.
I dënuar me 4 vjet burgim, si bashkautor i 3 rasteve të kultivimit të bimëve narkotike, të kryera gjatë vitit 2019, vihet në pranga 34-vjeçari.
Në vijim të operacioneve policore të njëpasnjëshme, me partnerët spanjollë, me objektiv lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar, strukturat e Policisë së Shtetit kanë siguruar informacion për vendndodhjen e një shtetasi të dënuar me burgim, nga autoritetet në Shqipëri.
Ky informacion i shkëmbyer menjëherë me partnerët, nëpërmjet koordinimit të Interpol Tiranës dhe Interpol Madridit, ka mundësuar finalizimin në Spanjë, të operacionit policor të koduar “Four”. Gjatë operacionit u bënë të mundur lokalizimi, kapja dhe vënia në pranga, me qëllim ekstradimin në Shqipëri, e shtetasit Lutfi Xeka, 34 vjeç.
Gjykata e Krujës e ka dënuar këtë shtetas, me 4 vjet burgim, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, kryer në bashkëpunim. Shtetasi Lutfi Xeka, në bashkëpunim me 11 të tjerë, kanë kultivuar 671 bimë narkotike cannabis sativa. Veprimtaria kriminale e këtyre shtetasve është goditur nga Policia, në 3 raste gjatë vitit 2019.
Vijon puna për të kryer ekstradimin e këtij shtetasi, në Shqipëri.