Vijon puna për gjurmimin, identifikimin dhe sekuestrimin e aseteve që janë përfituar nga veprimtari kriminale.
Konfiskohen tri llogari bankare të një 66-vjeçari, me vlerë 140 milionë lekë, që dyshohen se janë përfituar nga veprimtaria kriminale në fushën e narkotikëve.
Nga Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Fier, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Fier, pas një hetimi disamujor, u bë ekzekutimi i vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë Fier për vendosjen e konfiskimit të tre llogarive bankare të shtetasit L. L., 66 vjeç, banues në Fier, llogari bankare që arrinin shumën 140 milionë lekë.
Konfiskimi u krye për llogari të procedimit pasuror të filluar për këtë shtetas, pasi është subjekt i ligjit “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, trafikimit, korrupsionit dhe krimeve të tjera nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”.
Shumat e konfiskuara dyshohet se janë produkt i veprës penale “Trafikimi i narkotikëve”, për të cilën djali i tij, shtetasi A. L është dënuar në Itali.
Vijojnë hetimet intensive për evidentimin e pasurive të tjera që mund të jenë në emër të këtij shtetasi dhe të personave të tjerë të lidhur me të.