Kontrolle të befasishme për kapjen e personave në kërkim, atyre që mbajnë armë zjarri dhe lëndë narkotike.
Kontrollet nga Forcat Speciale Renea, Forca e Posaçme Operacionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe strukturat e DVP Fier.
Gjatë kontrolleve është sekuestruar një armë zjarri pistoletë dhe municion luftarak.
Vihet në pranga një 27-vjeçar, person me precedent kriminal në fushën e krimeve kundër jetës, drogës e armëmbajtjes pa leje.
Në zbatim të planit të masave për kapjen e personave në kërkim, të atyre të shpallur në kërkim si autorë të dyshuar të ngjarjeve kriminale të ndodhura më parë, për kapjen e personave që qarkullojnë me armë zjarri apo lëndë narkotike, Forcat Speciale Renea, Forca e Posaçme Operacionale në DPPSH dhe DVP Fier, ushtruan kontrolle të befasishme në disa lokale dhe ambiente të ndryshme në Fier dhe Lushnjë.
Si rezultat, në lagjen “Fermë-Çlirim”, në ambientet e një lokali, gjatë kontrollit të zhvilluar nga Renea, shtetasi I. H.(K)., 27 vjeç, sapo ka parë forcat e Policisë ka hedhur nga dritarja e lokalit çantën e dorës brenda së cilës mbante një armë zjarri pistoletë. Gjatë këqyrjes së çantës, shërbimet e Policisë gjetën në brendësi të saj armën e zjarrit pistoletë me dy karikatorë me fishekë luftarakë dhe kartën e identitetit të 27-vjeçarit.
Në përfundim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë i 27-vjeçarit I. H. (K)., për veprën penale “Armëmbajtja pa leje” dhe materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprime të mëtejshme.