Fier/Vihen në pranga 2 shtetas, procedohet në gjendje të lirë 1 shtetas dhe shpallet në kërkim 1 tjetër, për vepra të ndryshme penale.
Specialistët për Hetimin e Narkotikëve të DVP Fier arrestuan në flagrancë shtetasin E. H., 30 vjeç, banues në Patos, pasi gjatë kontrollit personal dhe gjatë kontrollit të banesës, shërbimet e Policisë i gjetën këtij shtetasi një sasi me lëndë narkotike të dyshuar kanabis dhe një sasi metadoni të lëngshëm, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier arrestuan shtetasin A. M., 20 vjeç, banues në Fier, pasi gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin me të cilin udhëtonte, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, një përforcues grushti.
Po këta specialistë referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin Xh. Xh., 32 vjeç, banues në Lushnjë, pasi dyshohet se në Fier, i ka vjedhur çantën e shpinës me një shumë lekësh dhe dokumentash në të, një shtetasi.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lushnjë referuan materialet në Prokurori dhe shpallën në kërkim shtetasin V. H., 28 vjeç, banues në Divjakë, pasi dyshohet se ka marrë me qira 1 automjet në Lushnjë, dhe nuk e ka kthyer më. Punohet për kapjen e 28-vjeçarit.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.