Operacion për goditjen e një grupi që shpërndante lëndë narkotike në doza.
Policia e Fierit ka finalizuar me sukses operacionin antidrogë të koduar “Apollonia”.
Sekuestrohen doza me lëndë narkotike dhe municion luftarak.
Bien në pranga 2 shtetasit që ushtronin këtë veprimtari kriminale.
Në vijim të punës për parandalimin dhe ndëshkimin e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në DVP Fier, në bashkëpunim me Prokurorinë e Fierit, pas një pune hetimore, u finalizua me sukses operacioni policor i koduar “Apollonia”, si rezultat i të cilit u godit një grup që shpërndante lëndë narkotike në doza, në qytetin e Fierit.
Gjatë operacionit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:
E. M., 23 vjeç, banues në Fier,
O. L., 17 vjeç, banues në Fier.
Këta shtetas u kapën në flagrancë duke shitur lëndë narkotike, në bashkëpunim me njëri tjetrin, në lagjen “Apollonia”.
Si rezultat i operacionit, gjatë kontrollit personal dhe nga kontrolli i ushtruar në banesat e këtyre shtetasve, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 14 doza me lëndë narkotike e dyshuar cannabis sativa dhe fishekë pistolete.
Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike” e kryer në bashkëpunim, “Nxitja për përdorimin e drogës” dhe “Mbajtja pa leje e municionit luftarak”.