Specialistët për hetimin e krimit ekonomik e financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Fier, në bashkëpunim me shërbimet e Policisë Tiranë, kapën dhe ndaluan shtetasin e shpallur në kërkim:
K. Xh., 30 vjeç, banues në Fier, me profesion avokat.
Ndalimi i këtij shtetasi u bë pasi Gjykata e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë, me vendimin e datës 08.01.2020, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale “Korrupsion pasiv” dhe “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.
Shtetasi K. Xh., gjatë kohës që ka qenë avokat pranë Dhomës së Avokatisë Fier, nëpërmjet skemës së mashtrimit, dyshohet se realizonte presione dhe inskenime ndaj qytetarëve të ndryshëm kundrejt përfitimit të shumave financiare për arrestime/ndalime ndaj tyre, për shkak të kallëzimeve penale që bëheshin, por që nuk përmbanin elementë të veprës penale.
Materialet procedurale i kaluan SPAK-ut, për veprime të mëtejshme.