Fier – Goditet një tjetër rast i ushtrimit të aktivitetit të paligjshëm të lojërave të fatit

Kishte përshtatur lokalin e tij, për organizimin e lotarive të palejuara, vihet në pranga pronari i lokalit (Inspektor në Drejtorinë Rajonale Tatimore Fier), i cili shpërdoronte detyrën duke fshehur të ardhurat nga aktiviteti në subjektin e tij.
Arrestohen në flagrancë dhe 2 shtetas të tjerë që ushtronin veprimtarinë e paligjshme të lojërave të fatit, në ambientet e lokalit.
Sekuestrohen 3 aparate celulare, 2DVR, një sasi parash dhe një sasi e vogël me lëndë narkotike cannabis sativa.
Në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e organizimit të paligjshëm të lojrave të fatit, në kuadër të operacionit “Fati i lojërave”, u godit një tjetër rast i ushtrimit të kësaj veprimtarie të paligjshme.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Fier arrestuan në flagrancë shtetasit:
R. B., 41 vjeç, banues në Levan (i punësuar pranë Drejtorisë Rajonale Tatimore Fier), për veprat penale “Organizimi i lotarive të palejuara”, “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Shpërdorimi i detyrës”;
D. B., 40 vjeç dhe J. B., 43 vjeç, banues në Levan, Fier, për veprat penale “Organizimi i lotarive të palejuara” dhe “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”.
Gjatë kontrollit të ushtruar në fshatin Levan, në lokalin e shtetasit R. B., i cili ushtronte aktivitetin në subjektin (lokalin) e paregjistruar në organet përkatëse, këta shtetas janë kapur në flagrancë nga shërbimet e Policisë, duke organizuar dhe ushtruar në bashkëpunim, aktivitetin e paligjshëm të lojërave të fatit.
U sekuestruan në cilësinë e provës materiale 3 aparate celulare, 2DVR, një shumë parash dhe një sasi e vogël me lëndë narkotike cannabis sativa.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprime të mëtejshme.