Fier – Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “Servisi”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e shpërndarjes së drogave të forta

Operacioni nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me agjentët e Forcës së Posaçme Operacionale në DVP Fier.

Vihen në prangat e Policisë, 2 shtetas që posedonin dhe shpërndanin lëndë narkotike kokainë.

Sekuestrohen 108 gramë lëndë narkotike kokainë, 3 aparate celulare dhe 1 automjet.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në DVP Fier, bazuar në informacionet e grumbulluara në rrugë policore për dy shtetas që posedonin dhe shpërndanin lëndë narkotike të forta, kanë organizuar punën dhe në bashkëpunim me Forcën Operacionale në DVP Fier finalizuan operacionin policor të koduar “Servisi”.

Në afërsi të një servisi, në lagjen “Liri”, Fier, shërbimet e Policisë kanë lokalizuar dhe ndaluar automjetin tip “Benz” me të cilin po qarkullonin shtetasit L. (L). M dhe V. K. Gjatë kontrollit në automjet dhe kontrollit fizik ndaj këtyre dy shtetasve, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 108 gramë lëndë narkotike kokainë.

Në vijim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Narkotikëve në DVP Fier arrestuan në flagrancë shtetasit L. (L). M., 32 vjeç dhe V. K., 32 vjeç, të dy banues në Fier, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”, e kryer në bashkëpunim.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprime të mëtejshme procedurale.