Finalizohet me sukses një tjetër operacion antikanabis.
Gjatë operacionit u sekuestruan 26 kg kanabis, fara kanabisi dhe llamba e aksesorë të tjerë që do përdoreshin për të kultivuar kanabis.
Arrestohen në flagrancë 3 shtetas.
Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e kultivimit të bimëve narkotike, bazuar në informacione të marra në rrugë policore dhe si rezultat i organizimit të shërbimeve për kontrollin e territorit, nga Komisariati i Policisë Fier, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve në DVP Fier, u evidentua dhe godit një tjetër rast i veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve.
Si rezultat, specialistët për Hetimin e Narkotikëve arrestuan në flagrancë shtetasit Xh. M., 61 vjeç dhe .L. M., 60 vjeçe (bashkëshortë), banues në fshatin Zharrëz, Patos. Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tyre u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 18 kg lëndë narkotike e dyshuar cannabis sativa dhe rreth 82 gr. fara cannabis sativa, ndërsa gjatë kontrollit në pronën e tyre, pranë banesës, u gjetën të kultivuara bimë cannabis sativa, të cilat u asgjësuan.
Gjithashtu, gjatë këtij operacioni u arrestua në flagrancë edhe shtetasi S. Rr., 35 vjeç, banues në Vlosh, Roskovec.
Arrestimi i këtij shtetasi u bë pasi gjatë kontrollit të ushtruar në banesë dhe ambientet përreth saj, Policia gjeti dhe sekuestroi 8 kg cannabis sativa. Gjithashtu, nga kontrolli në ambientet e brendshme të banesës është konstatuar një ambient i përshtatur me llamba dhe pajisje të tjera të cilat dyshohet se do të përdoreshin për të kultivuar bimë narkotike.
Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Kultivimi i bimëve narkotike” në ngarkim të shtetasve Xh. M. dhe L. M., dhe për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” në ngarkim të shtetasit S. Rr.