FAST Albania
Vijojnë operacionet për lokalizimin dhe kapjen e shtetasve të kërkuar ndërkombëtarisht.
Finalizohet nga FAST Albania, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Kurbin dhe Interpol Tiranën, operacioni policor i koduar “Next”.
Kapet në qytetin e Laçit dhe arrestohet me qëllim ekstradimin drejt Italisë, një 42-vjeçar i akuzuar si pjesëtar i një grupi kriminal për trafikimin e lëndëve narkotike.
Në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme për kapjen e shtetasve të kërkuar ndërkombëtarisht, FAST Albania, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Kurbin, bazuar në informacionet e shkëmbyera mes Interpol Tiranës dhe Interpol Romës, për një shtetas në kërkim, ka organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Next”.
Gjatë operacionit, u kap në qytetin e Laçit dhe u arrestua me qëllim ekstradimin drejt Italisë, shtetasi:
E. D., 42 vjeç, banues në Kurbin.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma, pasi Gjykata e Milanos ka lëshuar urdhër arresti ndërkombëtar, për veprën penale “Grup kriminal në fushën e trafikimit të narkotikëve”, parashikuar nga Kodi Penal italian.
42-vjeçari akuzohet për pjesëmarrje në një organizatë kriminale të përbërë nga shtetas shqiptarë, që operonte kryesisht në Milano dhe synonte trafikun e kokainës në nivel ndërkombëtar. Pjesëtarët e organizatës kishin në dispozicion disa banesa në Milano, që i përdornin për veprimtarinë e tyre kriminale.
Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Romën, vijon procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi drejt Italisë.