Elbasan – Vijon “Sundimi i ligjit”, 2 shtetas në pranga për vënie bastesh me celularë

Njëri prej tyre pronar i lokalit, ndërsa tjetri kamarier i punësuar më mënyrë të paligjshme.

Punohet për kapjen e një shtetasi tjetër (i punësuar më parë në këtë lokal), pasi rezultoi se organizonte baste sportive në ambientet e lokalit.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Elbasan, në vijim të kontrolleve në zbatim të planit operacional për parandalimin, dokumentimin dhe goditjen e veprimtarisë së kundërligjshme të lojërave të fatit, bazuar në inteligjencën informative, kanë evidentuar dhe goditur një rast të organizimit të lojërave të fatit, në lokal.

Për këtë rast, shërbimet e Policisë vunë në pranga për veprën penale “Organizimi ose ushtrimi i lojërave të fatit në kundershtim me ligjin”, shtetasit:

L. K., 61 vjeç, banues në Elbasan, pasi u kap në flagrancë në lokalin e tij në lagjen “Kala”, duke vënë baste sportive nëpërmjet celularit;

D. P., 31 vjeç, banues në Elbasan, pasi u kap në këtë lokal duke vënë baste sportive nëpërmjet celularit.

Nga veprimet hetimore rezultoi se shtetasi D. P. punonte kamarier në këtë lokal dhe nuk ishte i regjistruar në organet tatimore.

Gjithashtu, rezultoi se shtetasi K. Xh., 22 vjeç, banues në Elbasan, i punësuar më parë në këtë lokal,
organizon baste sportive në ambientet e lokalit. Vijon puna për kapjen e këtij shtetasi.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 3 celularë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.