Elbasan – Vijon megaoperacioni policor antidrogë i koduar “Tempulli 2”, në pranga 1 shtetas

Elbasan/Vijon megaoperacioni policor antidrogë i koduar “Tempulli 2”. Goditet një rast i shitjes në doza të drogave të forta.

Kishte siguruar lëndë narkotike kokainë dhe e kishte ndarë në qindra doza, me qëllim shitjen, arrestohet në flagrancë 49-vjeçari.

Sekuestrohen sasi kokaine që iu gjetën të arrestuarit, në automjet dhe në banesë, 1 peshore elektronike, celulari i tij dhe automjeti që përdorte për shpërndarjen e dozave.

Si rezultat i administrimit të menjëhershëm të inteligjencës policore të siguruar në vijim të megaoperacionit antidrogë të koduar “Tempulli 2”, për një rast të shitjes në doza të kokainës, shërbimet operacionale dhe ato për Hetimin e Narkotikëve të Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan kapën në flagrancë dhe arrestuan autorin e dyshuar të rastit, shtetasin A. U., 49 vjeç, banues në fshatin Tregan.

Nga kontrollet në automjetin dhe në banesën e tij, shërbimet e Policisë gjetën sasi të lëndës narkotike kokainë, të ndarë në qindra doza, me qëllim shitjen.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.