Elbasan – Finalizohet operacioni policor i koduar “Përfitimi”

Elbasan

Si rezultat i reagimit të menjëhershëm të shërbimeve të Komisariatit të Policisë Elbasan, finalizohet operacioni policor i koduar “Përfitimi”.

I hoqën lirinë një 68-vjeçari dhe e kanosën për t’i marrë një shumë parash, kapen dhe vihen në pranga 2 shtetas.

Sekuestrohen automjeti ku u mbajt 68-vjeçari dhe 3 celularë.

Menjëherë pas kallëzimit të një shtetasi 68 vjeç, se për motive të dobëta, 2 shtetas i kishin hequr lirinë, duke e mbajtur për disa minuta, kundër vullnetit të tij, në një automjet, si dhe se ishte kanosur me qëllim dhënien e një shume parash, shërbimet e Komisariatit të Policisë Elbasan organizuan punën për kapjen dhe nxjerrjen përpara përgjegjësise penale të 2 autorëve.

Si rezultat, në kuadër të operacionit policor të koduar “Përfitimi”, u identifikuan, u kapën dhe u vunë në pranga autorët e dyshuar të këtij rasti, shtetasit R. K., 57 vjeç, banues në Peqin dhe P. S., 47 vjeçe, banuese në Belsh.

Gjithashtu, në cilësinë e provës materiale u sekuestruan automjeti ku u mbajt 68-vjeçari dhe 3 celularë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Heqja e paligjshme e lirisë”, kryer në bashkëpunim dhe “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”.