Elbasan – Finalizohet operacioni policor i koduar “Domosdova”. Vihen në pranga 3 shtetas dhe shpallet në kërkim 1 tjetër

Finalizohet operacioni policor i koduar “Domosdova”.

Operacioni për goditjen e veprimtarisë kriminale të prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike, pas një hetimi disamujor.

Vihen në pranga 3 shtetas dhe shpallet në kërkim 1 tjetër.

Sekuestrohen 28.5 kg lëndë narkotike e llojit kanabis dhe automjetet me të cilat udhëtonin këta shtetas.

Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, specialistët për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan, pas një pune të mirëfilltë operative kanë finalizuar operacioni policor të koduar “Domosdova”, në kuadër të të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve:

T. B., 46 vjeç, I. D., 33 vjeç dhe Y. S., 39 vjeç, të tre banues në Korçë.

Si dhe është shpallur në kërkim policor shtetasi B. G., 46 vjeç dhe po punohet për kapjen e tij.

Arrestimi i tyre u bë pasi, në aksin rrugor Elbasan-Përrenjas, shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit të ushtruar në automjetet tip “Audi” dhe ” Peugeot”, kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 28.5 kg lëndë narkotike kanabis.

Policia vijon punën për identifikimin dhe arrestimin e personave të tjerë që janë përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Materialet procedurale do t”i kalojnë Prokurorisë pranë Rrethit Gjyqësor Elbasan, për kryerjen e veprimeve të mëtejshme hetimore.