Elbasan – Finalizohet operacioni “Përpunimi”

Operacioni për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e shpërndarjes në doza të vogla të drogave të forta.

Operacioni nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme, në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale “Shqiponja”.

Sekuestrohet kokainë dhe disa peshore elektronike.

Në pranga dy persona që posedonin, përpunonin dhe do tregtonin lëndën narkotike.

Në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, bazuar në informacionet e marra në rrugë operative se në një lokal, në aksin rrugor Elbasan-Bradashesh përpunohej një sasi lënde narkotike kokainë për t’u hedhur në treg, Seksioni për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale “Shqiponja” zhvilloi dhe finalizoi operacionin policor të koduar “Përpunimi”, si rezultat i të cilit u kapën dhe arrestuan në flagrancë shtetasit:

J. H., 38 vjeç dhe K. Z., 24 vjeç, të dy banues në Karakullak, Bradashesh, Elbasan.

Shtetasit e sipërpërmendur, në fshatin Karakullak, në lokalin e marrë me qera nga shtetasi K. Z., në rrugën dytësore Elbasan-Bradashesh janë kapur në flagrancë ndërsa po përpunonin në bashkëpunim me njëri-tjetrin lëndë narkotike të llojit kokainë, gati për shitje në treg.

Në kuadër të këtij operacioni policor u sekuestrua në cilësinë e provës materiale sasia prej 30 gr lëndë narkotike e dyshuar kokainë dhe 3 peshore elektronike, të cilat shërbenin për peshimin dhe ndarjen e dozave të kokainës.
Vijon puna për identifikimin dhe arrestimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës Parë Elbasan, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikeve“, e kryer në bashkëpunim.