Elbasan – Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “Dora e fundit”, për goditjen e veprimtarisë së kundërligjshme të lojërave të fatit

Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “Dora e fundit”, për goditjen e veprimtarisë së kundërligjshme të lojërave të fatit.

Operacioni i zhvilluar nga Sektori i Hetimit të Krimit Ekonomik dhe Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Gramsh.

Vihet në pranga një 33-vjeçar, shpallet në kërkim bashkëpunëtori i tij.

Sekuestrohen një sasi lënde narkotike kokainë, një tavolinë pokeri, çipsa, letra bixhozi, një sasi lekësh dhe dy aparate celular.

Në vijim të kontrolleve të pandërprera në gjithë qarkun Elbasan, në zbatim të planit të masave për evidentimin dhe ndëshkimin ligjor të veprimtarisë së kundërligjshme të lojërave të fatit, specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Gramsh, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Dora e fundit”, në kuadër të të cilit u arrestua në flagrancë shtetasi:

A. B., 33 vjeç, banues në Gramsh, si dhe u shpall në kërkim policor shtetasi K. Y.

Pas informacioneve të siguruara në rrugë operative se ky shtetas ushtronte aktivitetin kriminal të lojërave të fatit në ambientet e lokalit të tij, në bashkëpunim me shtetasin K. Y., shërbimet e Policisë kanë ushtruar kontroll në ambientet e këtij lokali.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 3 doza me lëndë narkotike kokainë, një tavolinë pokeri, disa valixhe metalike me çipsa, letra bixhozi, një sasi lekësh dhe dy aparate celular.

Vijojnë hetimet për identifikimin e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal.

Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” e kryer në bashkëpunim, “Organizimi i lotarive të palejuara”, “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojërat të palejuara” dhe “Fshehja e të ardhurave”.