Arrin i sigurt në destinacion vetëm duke zbatuar rregullat e qarkullimit.
Udhëtimi bëhet i sigurt vetëm duke zbatuar rregullat, prandaj të gjithë përdoruesit e rrugës, qofshin këmbësorë, drejtues mjeti apo pasagjerë duhet të njohin dhe zbatojnë të gjithë rregullat e qarkullimit rrugor, në mënyrë që të arrijnë të sigurt në destinacion.
Në këtë kuadër, punonjësit e Policisë të qarkullimit rrugor, në bashkëpunim me nxënësit e shkollës 9-vjeçare në fshatin Kuqan, Elbasan, organizuan një fushatë sensibilizuese dhe ndërgjegjësuese, duke u shpërndarë drejtuesve të mjete fletëpalosje dhe duke i këshilluar që asnjëherë mos ta drejtojnë mjetin pa u siguruar se gjendja e tij teknike është e mirë apo nën efektin e alkoolit dhe drogës, mos të nisen për udhëtim pa vendosur rripin e sigurimit, kurrë të mos tejkalojnë kufijtë e shpejtësisë që rekomandon sinjalistika rrugore, pasi shpejtësia të vret, të respektojnë gjithnjë këmbësorët, sidomos fëmijët dhe pleqtë, pasi ata lëvizin në mënyrë më të ngadaltë dhe kanë sjellje të paparashikuara dhe në rrugë.
Takime të tilla ndërgjegjësuese dhe sensibilizuese për sigurinë rrugore do të vijojnë në të gjitha shkollat 9-vjeçare dhe të mesme në Qarkun e Elbasanit.