/Goditet 1 rast tjetër i veprimtarisë kriminale të dhënies ndihmë shtetasve të huaj, kundrejt fitimit, për kalim të paligjshëm të kufirit.
Specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve të DVP Vlorë, në vijim të punës me fokus parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të dhënies ndihmë kundrejt fitimit, emigrantëve nga vendet e treta, me qëllim kalimin e paligjshëm të kufirit, kanë konstatuar një rast tjetër të kësaj veprimtarie.
Si rezultat, u arrestua në flagrancë shtetasi ukrainas D. S., 25 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.
Ky shtetas u kap në flagrancë, në hyrje të autostradës “Vlorë-Fier”, duke transportuar me automjet, kundrejt përfitimit, 4 emigrantë, me qëllim kalimin e paligjshëm të kufirit.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, për veprime të mëtejshme.