DVP Vlorë – Sekuestrohen doza kokaine, armë gjahu dhe fishekë, arrestohet poseduesi

DVP Vlorë/Si rezultat i kontrolleve të kryera bazuar në inteligjencën policore, sekuestrohen doza kokaine, armë gjahu dhe fishekë të kalibrave të ndryshëm.

Arrestohet në flagrancë 37-vjeçari që i posedonte në banesë, në fshatin Borsh.

37-vjeçari, me precedent të mëparshëm penal në fushën e vjedhjes.

Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në DVP Vlorë, në kuadër të veprimeve operacionale për evidentimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve dhe të armëmbajtjes pa leje, pas administrimit të menjëhershëm të informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore se një shtetas posedonte lëndë narkotike dhe municion luftarak, ushtruan kontroll në banesën e tij.

Gjatë kontrollit, u gjetën doza lënde të dyshuar narkotike kokainë, fishekë të kalibrave të ndryshëm dhe një armë gjahu pa leje, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Në përfundim të veprimeve procedurale, u arrestua në flagrancë shtetasi G. K., 37 vjeç, banues në fshatin Borsh.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, për veprime të mëtejshme.