DVP Vlorë
Strukturat hetimore të DVP Vlorë, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërive në të gjithë territorin e qarkut Vlorë, si rezultat i kontrolleve të ushtruara në fshatin Shkozë, Vlorë, në një stan në pronësi të shtetasit I. I., kanë gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri pistoletë dhe një krehër me municion luftarak. Për këtë rast, specialistët për Hetimin e Krimeve referuan materialet në Prokurori, për shtetasin I. I., 63 vjeç dhe shpallën në kërkim djalin e tij, shtetasin L. I. alias L. M., 35 vjeç. Vijon puna për kapjen e tij.
Specialistët për Hetimin e Narkotikëve të DVP Vlorë referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin A. M., 29 vjeç, banues në Vlorë, pasi gjatë kontrollit fizik iu gjet dhe sekuestrua një sasi lënde e dyshuar narkotike kanabis.
Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomike të Komisariatit të Policisë Sarandë referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasit A. N., 43 vjeç dhe L. T., 51 vjeçe, me detyrë noterë, pasi ndaj tyre ka bërë kallëzim shtetasi V. H., se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë shpërdoruar detyrën duke falsifikuar nënshkrimin e një testamenti.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Stacionit të Policisë Selenicë referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin R. N., 61 vjeç, pasi dyshohet se për motive të dobëta ka goditur me shkop, shtetasin Q. H., 65 vjeç.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Stacionit të Policisë Dhërmi referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin F. Gj., 50 vjeç, administrator i një firme ndërtimi, pasi dyshohet se ka kryer ndërtime shtesë, në disa objekte, pa lejen përkatëse.
Sot, në fshatin Lapardha, në një kasolle, është gjetur nga familjarët e tij, i vetëvarur, shtetasi P. Xh., 63 vjeç, i cili paraprakisht dyshohet se vuante nga probleme të shëndetit mendor. Grupi hetimor po kryen veprimet për sqarimin e plotë të rrethanave të rastit.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.