DVP Vlorë / Goditje të njëpasnjëshme ndaj paligjshmërive në qark, vijojnë kontrollet intensive për kapjen e personave në kërkim dhe parandalimin e ngjarjeve kriminale.
✅ Kapet një 39-vjeçar i dënuar me 4 vite burg, për kultivim të bimëve narkotike.
✅ Parandalohet në kohë një ngjarje kriminale mes të miturve, procedohen penalisht 2 adoleshentë për kanosje dhe mbajtje të sendeve të rrezikshme.
Nga shërbimet e Stacionit të Policisë Selenicë dhe ato të Komisariatit të Policisë Vlorë, u bë e mundur kapja dhe ndalimi i një shtetasi në kërkim, shtetasit A. N., 39 vjeç, banues në fshatin Mazhar, Njësia Administrative Sevaster, i cili ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë e ka dënuar me 4 vite burgim, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike, kryer në bashkëpunim”.
Në një tjetër rast, falë reagimit të menjëhershëm të shërbimeve të Komisariatit të Policisë Vlorë, u parandalua një përshkallëzim i dhunës mes të miturve, ku dy adoleshentë, 15 dhe 17 vjeç, kanë kanosur, për motive të dobëta, një të mitur 11-vjeçar.
Gjatë kontrollit të zonës që frekuentonin të miturit, u gjetën mjete prerëse dhe shkopinj druri, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Materialet për të dyja rastet u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.
Policia e Vlorës mbetet e angazhuar për garantimin e rendit dhe sigurisë publike dhe fton qytetarët të bashkëpunojnë, duke denoncuar çdo paligjshmëri në numrin falas 112.