Specialistët e Hetimit të Narkotikëve arrestuan në flagrancë për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, shtetasin K. D., 42 vjeç, banues në lagjen “1 Maji”, Vlorë, pasi gjatë kontrollit fizik iu gjet dhe iu sekuestrua një sasi lënde e dyshuar narkotike cannabis sativa.
Specialistët e Hetimit të Krimit në Komisariatin e Policisë Vlorë proceduan penalisht për veprën penale “Vjedhja”, shtetasen italiane E. M., 46 vjeçe, banuese në Brindisi, Itali, pasi dyshohet si autore e vjedhjes së një bizhuterie, në një argjendari në lagjen “Pavarësia 3”.
Po nga këto shërbime është proceduar penalisht shtetasi M. N., banues në lagjen “28 Nëntori”, Vlorë, për veprën penale “Plagosja e lehtë me dashje”, pasi ka goditur me sende të forta, për motive të dobëta, shtetasin M. Ç., banues në lagjen “Uji i ftohtë” Vlorë.
Specialistët e Hetimit të Krimit në Komisariatin e Policisë Himarë proceduan penalisht për veprën penale “Kanosja”, shtetasin J. Rr., 59 vjeç, banues në fshatin Tërbaç, Himarë, pasi ka bërë kallëzim shtetasi E. E., 31 vjeç, banues në fshatin Qeparo, Himarë, se 59-vjeçari e ka kanosur me fjalë.
Specialistët e Qarkullimit Rrugor në Komisariatin e Policisë Sarandë arrestuan në flagrancë për veprën penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”, shtetasin K. D., 19 vjeç, banues në Bajkaj, Delvinë, pasi u konstatua nga shërbimet e Policisë, duke drejtuar automjetin, pa leje drejtimi.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.