DVP Tiranë
Finalizohet nga Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, operacioni policor i koduar “Triple”, për goditjen e kontrabandës së mallrave.
Magazinonte dhe tregtonte mallra të dyshuara të kontrabanduara, fshihte të ardhurat e përfituara nga kjo veprimtari, si dhe kishte punësuar në mënyrë të paligjshme një shtetas, shpallet në kërkim 41-vjeçari.
Procedohen penalisht 3 shtetas.
Sekuestrohen veshje dhe mallra të ndryshme, të kontrabanduara.
Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kontrabandës së mallrave, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, pas një pune të mirëfilltë hetimore, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Triple”.
Në kuadër të këtij operacioni u shpall në kërkim shtetasi A. D., 41 vjeç, banues në Tiranë. Gjithashtu u proceduan në gjendje të lirë shtetasit E. M., 30 vjeç, Sh. D., 41 vjeç, dhe A. Gj., 23 vjeç, të tre banues në Tiranë.
Në rrugën “5 Maji”, gjatë kontrollit në disa biznese në pronësi të shtetasit A. D., në të cilat ishin të punësuar tre shtetasit e proceduar, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, mallra dhe produkte të ndryshme, pa fatura tatimore shoqëruese apo deklarata doganore për origjinën e tyre, për të cilat nuk deklaroheshin të ardhurat e përfituara prej tyre. Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se shtetasi E. M., ishte punësuar në një nga këto biznese, në mënyrë të paligjshme, nga 41-vjeçari i shpallur në kërkim.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.