DVP Tiranë/Vijojnë goditjet e njëpasnjëshme kundër shpërndarjes së lëndeve narkotike kokainë e kanabis.
Finalizohet operacioni policor i koduar “Taksisti”.
Operacioni u finalizua nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 2.
Kamuflohej si taksist dhe shpërndante lëndë narkotike kokainë në doza, në të gjithë Tiranën, vihet në pranga 54-vjeçari.
Sekuestrohen 328 doza kokainë si dhe një sasi lëndë e dyshuar narkotike kokainë.
Në bazë të informacioneve të marra në rrugën operative për një shtetas i cili gjatë kohës që punonte si taksist shpërndante lëndë narkotike kokainë të ndarë në doza, Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 2 kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Taksisti” .
Si rezultat i operacionit u kap dhe u arrestua shtetasi I. B., 54 vjeç, banues në Tiranë.
Ky shtetas duke shfrytëzuar profesionin e tij si taksist shpërndante lëndë narkotike kokainë në doza, në të gjithë Tiranën.
Në rrugën “Muhamed Gjollesha” është bërë ndalimi i automjetit taksi dhe gjatë kontrollit të ushtruar janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 328 doza kokainë dhe një sasi lëndë e dyshuar narkotike kokainë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.