DVP Tiranë/Finalizohet nga Komisariati i Policisë Nr. 4, operacioni policor i koduar “The night”

DVP Tiranë/Finalizohet nga Komisariati i Policisë Nr. 4, operacioni policor i koduar “The night”.

Qarkullonte me automjet, me pistoletë imituese, armë të ftohta dhe përdorte pajisje si ato të Policisë (stema dhe portofol Policie), kapet dhe vihet në pranga 30-vjeçari.

Sekuestrohen, në cilësinë e provës materiale, pistoleta imituese, një mjet prerës, dy stema dhe një portofol si ato të Policisë.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e armëmbajtjes pa leje, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative se në rrugën “Siri Kodra”, me një automjet tip “Benz”, qarkullonte një shtetas i armatosur, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “The night”, për kapjen e tij.

Gjatë operacionit, në rrugën “Siri Kodra”, është lokalizuar automjeti tip “Benz”, me drejtues shtetasin S. S., 30 vjeç, banues në Tiranë.

Gjatë kontrollit të automjetit, shërbimet e Policisë, i gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale një pistoletë imituese, një mjet prerës, dy stema dhe një portofol si ato të Policisë.

Në vijim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë i tij dhe materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.