DVP Lezhë/Vijon megaoperacioni policor i koduar “Tempulli”.
Goditen 2 raste të tjera të shitjes së lëndëve narkotike, në doza, në Lezhë dhe në Mirditë.
Vihen në pranga 2 shtetas.
Sekuestrohen 68 doza lënde të dyshuar narkotike cannabis sativa, të gatshme për shitje, dhe municion luftarak.
Si rezultat i veprimeve intensive operacionale të kryera në kuadër të megaoperacionit policor mbarëkombëtar, antidrogë, të koduar “Tempulli”, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve të Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, kanë konstatuar dhe goditur 2 raste të tjera në këtë fushë.
Në qytetin e Lezhës, gjatë kontrollit fizik ndaj shtetasit S. L., 26 vjeç, banues në Pukë, shërbimet e Policisë i kanë gjetur atij, doza të lëndës narkotike cannabis sativa, të gatshme për shitje.
Në Mirditë, gjatë kontrollit fizik ndaj shtetasit N. Rr., 31 vjeç dhe kontrollit në banesën e tij, shërbimet e Policisë kanë gjetur dhjetëra doza të lëndës së dyshuar narkotike cannabis sativa, të gatshme për shitje, si dhe një sasi municioni luftarak.
Në vijim të veprimeve procedurale, u arrestuan në flagrancë këta 2 shtetas, ndërsa sasitë e lëndës narkotike (në total 68 doza) dhe sasia e municionit luftarak, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme hetimore.