DVP Lezhë – Finalizohet operacioni policor i koduar “Around”

Kontrolle të shtuara për kapjen e personave në kërkim, të atyre që qarkullojnë me armë zjarri apo me lëndë narkotike.

Finalizohet operacioni policor i koduar “Around”.

Sekuestrohet një armë zjarri pistoletë dhe municion luftarak. Arrestohet në flagrancë poseduesi i tyre.

Gjatë operacionit të kontrollit, janë kapur dhe vënë në pranga edhe 2 shtetas të tjerë, të shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale.

Në zbatim të planit të masave për parandalimin e ngjarjeve kriminale, kapjen e personave në kërkim dhe të atyre që qarkullojnë me armë zjarri apo lënde narkotike, strukturat hetimore dhe operacionale në DVP Lezhë, në bashkëpunim të ngushtë me komisariatet e Policisë në varësi të DVP-së, kanë organizuar kontrolle të befasishme në të gjithë qarkun.

Si rezultat i kontrolleve shërbimet e Komisariatit të Policisë Kurbin në bashkëpunim me forcat operacionale të DVP Lezhë, bazuar edhe në informacione të marra në rrugë operative, në Laç, në magazinën e lokalit në përdorim nga shtetasi V. Ll., është gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri pistoletë dhe një sasi municioni luftarak. Në vijim të veprimeve, nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Kurbin është arrestuar në flagrancë shtetasi V. Ll., 46 vjeç, banues në Kurbin, për veprën penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”.

Gjithashtu, gjatë kontrolleve, nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Kurbin u bë kapja dhe ndalimi i shtetasit në kërkim Zef Shyti, banues në Kurbin, të cilin Gjykata e Apelit Tiranë e ka dënuar me 2 vjet burgim, për veprën penale “Ngacmimi seksual”.

Në vijim të kontrolleve, nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Lezhë u bë ndalimi i shtetasit K. F., 31 vjeç, banues në Shkodër, i shpallur në kërkim për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, i dyshuar si autor i kultivimit të bimëve narkotike në fshatin Gjadër, Lezhë.

Kontrollet e befasishme për parandalimin e ngjarjeve kriminale dhe goditjen e paligjshmërisë do vijojnë në të gjithë qarkun, krahas angazhimit maksimal për mbarëvajtjen e sezonit turistik.