Vijon zbatimi i planit të masave për parandalimin dhe goditjen e krimeve mjedisore.
Bllokohet nga Policia, 1 automjet që transportonte lëndë drusore të prerë në mënyrë të paligjshme.
Procedohet penalisht drejtuesi i mjetit që po transportonte lëndën drusore.
Në kuadër të bashkëpunimit me strukturat e DVP Lezhë dhe në zbatim të planit të masave për parandalimin dhe goditjen e krimeve mjedisore, shërbimet e Njësisë Operacionale për Autostradën Milot-Morinë, kanë konstatuar dhe ndaluar në Skuraj, Kurbin, një mjet tip kamion që transportonte lëndë drusore.
Gjatë kontrollit të ushtruar, shërbimet e Policisë kanë konstatuar se drejtuesi i mjetit, shtetasi A.B., po transportonte lëndë drusore të prerë në mënyrë të paligjshme.
Në përfundim të veprimeve, specialistët për Hetimin dhe Parandalimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Kurbin kanë proceduar penalisht shtetasin A.B. 57 vjeç, banues në Thumanë.
Materialet në ngarkim të tij janë referuar në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Kurbin, për veprime të mëtejshme.
Policia e Shtetit do të vijojë kontrollet për parandalimin dhe goditjen e krimeve mjedisore dhe në këtë kuadër kërkon bashkëpunimin e qytetarëve që të denoncojnë çdo rast të paligjshmërisë në Komisariatin Dixhital apo në numrin pa pagesë 112, duke siguruar anonimatin dhe reagim të paanshëm kundrejt shkelësve të ligjit.