Vijon zbatimi i planit të masave për parandalimin dhe goditjen e krimeve mjedisore.
Bllokohen nga Policia, 4 automjete që transportonin lëndë drusore të prerë në mënyrë të paligjshme.
Procedohen penalisht drejtuesit e mjeteve që po transportonin lëndën drusore.
Në kuadër të bashkëpunimit me strukturat e DVP Lezhë dhe në zbatim të planit të masave për parandalimin dhe goditjen e krimeve mjedisore, shërbimet e Njësisë Operacionale të Policisë Rrugore për Autostradën Milot-Morinë, kanë konstatuar dhe ndaluar në Rubik, Mirditë, Skuraj dhe Kurbin, 2 mjete tip furgon dhe 2 kamionçina që transportonin sasi të konsiderueshme lënde drusore.
Gjatë kontrollit të ushtruar, shërbimet e Policisë kanë konstatuar se drejtuesit e këtyre mjeteve po transportonin rreth 25 m3 lëndë drusore të prerë në mënyrë të paligjshme.
Në përfundim të veprimeve, specialistët për Hetimin dhe Parandalimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Mirditë dhe Kurbin kanë proceduar penalisht shtetasit: A. B., 56 vjeç, banues në Thumanë, F. N., 48 vjeç, banues në Tiranë, K. C., 34 vjeç dhe P. T., 56 vjeç, banues në Lezhë.
Materialet në ngarkim të tyre janë referuar në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lezhë dhe Kurbin, për veprime të mëtejshme.
Policia e Shtetit do të vijojë kontrollet për parandalimin dhe goditjen e krimeve mjedisore dhe në këtë kuadër kërkon bashkëpunimin e qytetarëve që të denoncojnë çdo rast të paligjshmërisë në Komisariatin Dixhital apo në numrin pa pagesë 112, duke siguruar anonimatin dhe reagim të paanshëm kundrejt shkelësve të ligjit.