DVP Kukës – Vihen në pranga 2 shtetas, procedohet penalisht 1 tjetër

Vijon puna për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Vihet në pranga, me qëllim ekstradimi, 1 shtetas i shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Arrestohet në flagrancë 1 shtetas dhe procedohet penalisht 1 tjetër, për krime kundër mjedisit.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Tropojë në bashkëpunim me Interpol Tirana, në vijim të punës për lokalizimin dhe kapjen e personave në kërkim ndërkombëtar, bënë kapjen dhe arrestimin provizor të shtetasit F. G., 50 vjeç, banues në Tropojë.

Arrestimi provizor i tij u bë me qëllim ekstradimi drejt Kosovës, pasi Gjykata Themelore Gjakovë, Kosovë, me vendimin e datës 04.11.2021, i ka caktuar masën e sigurimit personal “Arrest në burg”, për veprën penale “Dhuna në familje”.

———

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Tropojë, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe ndëshkimin e ndërtimeve pa leje, veçanërisht brenda vijës së verdhë në zonat urbane dhe ato të mbrojtura, arrestuan në flagrancë për veprën penale “Ndërtimi i paligjshëm”, shtetasin H. S., 43 vjeç, banues në fshatin Valbonë, pasi është konstatuar duke ndërtuar pa leje.

———–

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Has filluan procedimin penal në gjendje të lirë për veprën penale “Prerja e paligjshme e pyjeve”, për shtetasin S. M., 51 vjeç, banues në Krumë, pasi në vendin e quajtur “Bjeshkët e Munekës”, u konstatua duke prerë dru, pa leje.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tropojë dhe Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kukës, për veprime të mëtejshme.