DVP Kukës/Finalizohet operacioni policor i koduar “Reaction”.
Duke lejuar ndërtime të paligjshme, shpërdoruan detyrat si administrator i njësisë Golaj dhe inspektorë të IMTV-së, vihen në pranga 2 shtetas dhe procedohet në gjendje të lirë 1 tjetër.
Procedohen penalisht 3 shtetas të tjerë, të cilët gjatë këtij operacioni, u konstatua se kishin ndërtuar në kundërshtim me ligjin.
Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare i DVP Kukës, pas një hetimi disamujor, në drejtimin e Prokurorisë së Kukësit, në bazë të informacioneve nga inteligjenca policore:
-vuri në pranga shtetasit U. D., 40 vjeç, banues në fshatin Golaj, me detyrë administrator i njësisë administrative Golaj dhe B. U., 32 vjeç, banues në fshatin Vlahën, me detyrë inspektor i IMTV, njësia administrative Golaj;
-referoi materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin K. L., 38 vjeç, banues në fshatin Zahrisht, me detyrë inspektor i IMTV, bashkia Has, si dhe për shtetasit Z. D., M. M. dhe F. K..
Nga hetimet dyshohet se shtetasit U. D., B. U. dhe K. L., duke shpërdoruar detyrat, kanë lejuar ndërtime të paligjshme, në territoret e njësisë administrative Golaj dhe bashkisë Has. Në vijim, nga verifikimet rezultoi se 3 shtetasit e tjerë të proceduar kishin ndërtuar objekte, pa leje, në këto zona.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Kukës.