DVP Korçë/Vihen në pranga 3 shtetas dhe procedohen në gjendje të lirë 4 të tjerë, për vepra të ndryshme penale.
-Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Pogradec ndaluan me iniciativë shtetasin K. T., 29 vjeç, banues në fshatin Vërdovë, Pogradec, pasi dyshohet se ka kryer marrëdhënie seksuale me një të mitur 12-vjeçare, e cila në prani të prindërve të saj dhe psikologëve ka deklaruar se ka një lidhje 2-vjeçare me shtetasin K. T.
-Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Korçë arrestuan në flagrancë një 15-vjeçar, banues në Korçë dhe një 14-vjeçar, banues në Tiranë, pasi në bashkëpunim me njëri-tjetrin dyshohet se janë autorë të vjedhjes në tre biznese, ngjarje të ndodhura javën e fundit, në lagjen nr. 9, të qytetit të Korçës. Konkretisht në një servis celularësh kanë vjedhur 2 celularë, në një byrektore kanë vjedhur 30000 lekë dhe në një lokal bar-kafe kanë vjedhur 14000 lekë. Të dy shtetasit e mitur janë pyetur në prani të prindërve, psikologes dhe avokatit. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan tre celularë dhe një kaçavidë, të cilën dyshohet se këta shtetas e përdornin për të kryer vjedhjet.
-Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Pogradec referuan materialet në Prokurori ku filloi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasit:
E. B., 26 vjeç, banues në fshatin Radokal i Poshtëm, Pogradec, pasi dyshohet se më datë 04.01.2024, ky shtetas pas një konflikti verbal për motive të dobëta, me një 54-vjeçar, i ka shkuar në banesë këtij të fundit, ku i ka dëmtuar gomat e automjetit dhe e ka goditur me grushte e sende të forta;
S. T., 23 vjeç, banues në fshatin Trebinjë, Pogradec, pasi gjatë kontrollit të ushtruar nga shërbimet e Policisë në banesën e tij, iu gjet një armë gjahu me municion, pa lejen përkatëse, që u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
-Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kolonjë referuan materialet në Prokurori ku filloi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin E. C., 43 vjeç, banues në Tiranë, pasi dyshohet se në Ersekë, ka ushtruar dhunë ndaj bashkëjetueses së tij, e cila u pajis me urdhër mbrojtjeje.
-Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Maliq referuan materialet në Prokurori për shtetasin M. M., 24 vjeç, banues në fshatin Moglicë, Maliq, pasi në fshat, gjatë një konflikti për motive të dobëta ka goditur me mjet të mprehtë, një 33-vjeçar.
-Më datë 05.01.2024, ka telefonuar në Polici shtetasi A. A., 41 vjeç, banues në Bilisht, i cili ka kallëzuar se në brendësi të automjetit të tij, ka konstatuar tre granata dore defensive pa ndezës dhe një sasi të vogël me lëndë të dyshuar narkotike kanabis, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Nga ana e Policisë, nën drejtimin e Prokurorisë po vijon puna për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes dhe dokumentimin e plotë të saj.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.