DVP Korçë/Vihen në pranga 3 shtetas dhe procedohen në gjendje të lirë 2 të tjerë, për vepra të ndryshme penale.
-Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Korçë arrestuan në flagrancë shtetasin R. M., 39 vjeç, banues në Korçë, pasi ka dalë jashtë banesës së tij, në kundërshtim me vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, e cila i kishte caktuar atij, masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. Gjatë shoqërimit në ambientet e Komisariatit, 39-vjeçari ka kundërshtuar me forcë punonjësit e Policisë.
-Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Pogradec arrestuan në flagrancë shtetasit:
-H. L., 17 vjeç, banues në fshatin Çërravë, Pogradec, për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”;
-E. L., 23 vjeç, banues në fshatin Çërravë, Pogradec, për veprën penale “Plagosja e lehtë me dashje”.
Këta shtetas, ditën e djeshme, janë përfshirë në një konflikt fizik, për motive të dobëta, në fshatin Çërravë, ku H. L. ka plagosur me kaçavidë, shtetasin M. L., 23 vjeç, banues në Leshnicë, i cili u dërgua për mjekim në Spitalin e Traumës në Tiranë, ndërsa E. L. ka goditur me mjete të forta dhe me kaçavidë, shtetasin J. L., 22 vjeç, banues në Çërravë, i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Gjithashtu, në këtë konflikt janë përfshirë edhe 2 shtetas të tjerë, të cilët nuk kanë marrë dëmtime.
-Po këta specialistë referuan materialet në Prokurori ku filloi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin O. M., 42 vjeç, banues në fshatin Guri i Bardhë, Pogradec, pasi dyshohet se ka goditur me sende të forta një 43-vjeçar, i cili pas mjekimit në spital u largua në banesë, si dhe një 47-vjeçare, për motive të dobëta.
-Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Maliq referuan materialet në Prokurori ku filloi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin F. Xh., 37 vjeç, banues në Maliq, pas kallëzimit nga bashkëshortja e tij (me të cilën është në proces divorci) se 37-vjeçari, në kundërshtim me vendimin e Gjykatës, nuk ka pranuar t’i japë fëmijët e tyre të mitur, të moshave 13 dhe 6 vjeç.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.