DVP Korçë/Vihen në pranga 2 shtetas dhe procedohen në gjendje të lirë 4 të tjerë, për vepra të ndryshme penale

DVP Korçë/Vihen në pranga 2 shtetas dhe procedohen në gjendje të lirë 4 të tjerë, për vepra të ndryshme penale.

-Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Korçë ekzekutuan vendimin e Prokurorisë, për ndalimin e shtetasit në kërkim Xh. Sh., 27 vjeç, banues në Korçë, pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Prishja e qetësisë publike”, “Kanosja” dhe “Plagosja e lehtë me dashje”, kryer në bashkëpunim, në lidhje me ngjarjen e ndodhur më datë 10.12.2023, në lagjen nr. 3, Korçë, ku gjatë një konflikti për motive të dobëta ndërmjet disa shtetasve, u plagos në këmbë, me armë zjarri, një 33-vjeçar, dhe u dëmtua me sende të forta, një shtetas tjetër.

-Specialistët e Trafikut Urban dhe Interurban të DVP Korçë arrestuan në flagrancë shtetasin A. A., 20 vjeç, banues në fshatin Dvoran, Korçë, pasi në bulevardin “Republika”, Korçë, u konstatua nga shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, duke drejtuar automjetin, pa leje drejtimi.

Po këta specialistë referuan materialet në Prokurori ku filloi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin M. D., 23 vjeç, banues në fshatin Pirg, Maliq, pasi në aksin rrugor “Korçë-Pogradec”, pranë fshatit Biranj, automjeti tip “BMW” që drejtonte është përplasur me automjetin tip “Volkswagen” me drejtues shtetasin R. R. dhe për pasojë është dëmtuar lehtë pasagjerja që udhëtonte në automjetin tip “Volkswagen”.

-Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Pogradec referuan materialet në Prokurori ku filloi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin K. Ç., 38 vjeç, banues në Pogradec, pasi në lagjen nr. 2, Pogradec, për motive të dobëta, dyshohet se ka goditur me grushte një 56-vjeçar.

-Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Maliq referuan materialet në Prokurori ku filloi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit E. D., 29 vjeç, banues në fshatin Vashtëmi, Maliq dhe J. Z., 31 vjeç, banues në fshatin Vloçisht, Maliq, pasi janë konfliktuar fizikisht njëri-tjetrin, gjatë një konflikti për motive të dobëta, në fshatin Vloçisht. Gjithashtu, dyshohet se pas konfliktit, shtetasi E. D. ka drejtuar një automjet tip “Mitsubishi”, pa leje drejtimi.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.