DVP Korçë
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Pogradec arrestuan në flagrancë shtetasit D. M., 30 vjeç, dhe E. M., 35 vjeç, banues në Buçimas, Pogradec, pasi kanë goditur me grushte një punonjës policie, për shkak të detyrës.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Korçë arrestuan në flagrancë shtetasin E. S., 52 vjeç, banues në Korçë, pasi ka thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, caktuar nga Gjykata, për veprat penale “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë” dhe ”Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”.
Specialistët për Hetimin e Trafiqeve ekzekutuan masën e sigurisë “Arrest në burg”, për shtetasit M. H., 21 vjeç, dhe N. C., 23 vjeç banues në Kavajë, caktuar nga Gjykata, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.
Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor arrestuan në flagrancë shtetasin A. F., 33 vjeç, banues në Pirg, Maliq, pasi u kap duke drejtuar automjetin, në gjendje të dehur.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasen J. O., 35 vjeçe, banuese në Korçë, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”, pasi nga veprimet hetimore të kryera për plagosjen me mjet prerës, të shtetasit K. Z., 26 vjeç, më datë 06.02.2025, dyshohet se kjo shtetase ka qenë prezente gjatë konfliktit dhe bashkë me autorin e dyshuar të plagosjes, shtetasin J. R., kanë transportuar 26-vjeçarin, në spital. Vijon puna për kapjen e shtetasit J. R.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të DVKM Korçë referuan materialet në Prokurori, për shtetasin A. B., 50 vjeç, banues në Kapshticë, Devoll, për veprën penale “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.