DVP Korçë – Finalizohet operacioni policor “Midnight 25”, vihen në pranga 3 shtetas

DVP Korçë/Finalizohet operacioni policor “Midnight 25”, vihen në pranga 3 shtetas.

U kap duke transportuar me automjet, 4 emigrantë të paligjshëm, kundrejt pagesës, vihet në pranga një 39-vjeçar.

Vihen në pranga edhe 2 bashkëpunëtorët e tij, që kontrollonin rrugën me një automjet tjetër, për prezencën e Policisë.

Sekuestrohen 2 automjete dhe 3 celularë.

Specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme të DVP Korçë, në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale të dhënies ndihmë shtetasve nga Vendet e Treta, kundrejt pagesës, me qëllim kalimin e paligjshëm të kufirit, drejt vendeve të BE-së, në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore Korçë-Elbasan, si dhe me mbështetjen e informacioneve të siguruara nga inteligjenca informative, finalizuan operacionin policor të koduar “Midnight 25”.

Si rezultat i këtij operacioni u arrestuan në flagrancë shtetasit:

-Y. K., 39 vjeç, banues në Borizanë, Fushë Krujë, A. Rr., 46 vjeç dhe F. Gj., 29 vjeç, të dy banues në Laç.

Shërbimet e Policisë, falë organizimit të veprimeve, në bazë edhe të inteligjencës informative, gjatë operacionit, bënë të mundur kapjen e shtetasit Y. K., në aksin rrugor “Pogradec-Qafë Thanë”, duke transportuar me automjetin tip “Opel Zafira”, 4 emigrantë të paligjshëm, të cilëve kundrejt pagesës, iu kishte premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së. Nga hetimet e kryera, rezulton se të implikuar në këtë veprimtari kriminale janë edhe dy shtetasit e tjerë, F. Gj. dhe A. Rr., të cilët me një automjet tip “Ford Focus”, me drejtues 29-vjeçarin dhe pasagjer 46-vjeçarin, monitoronin rrugën, për të sinjalizuar shtetasin Y. K., në rast se kishte prezencë të shërbimeve të Policisë në rrugë.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan dy automjetet dhe tre celularë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.