DVP Korçë/Vijon me intensitet zbatimi i masave të përcaktuara në planin operacional mbarëkombëtar “Sundimi i ligjit”.
Finalizohet operacioni policor i koduar “Përsëritësi”, për goditjen e kontrabandës së mallrave.
Kontrabandoi nga Maqedonia e Veriut, bagëti të imëta, me qëllim shitjen e tyre në Shqipëri, kapet në flagrancë dhe vihet në pranga 60-vjeçari, me precedent të mëparshëm penal në këtë fushë.
Sekuestrohen 28 krerë bagëti të pamatrikulluara, automjeti kamionçinë me të cilin transportoheshin dhe një shumë parash.
Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare të Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë, në vijim të punës për goditjen e aktivitetit të paligjshëm të kontrabandës me mallra, në zbatim të masave të përcaktuara në planin operacional mbarëkombëtar “Sundimi i ligjit”, në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore Korçë-Elbasan, finalizuan operacionin policor të koduar “Përsëritësi”. Si rezultat i këtij operacioni u arrestua në flagrancë shtetasi D. Xh., 60 vjeç, banues në fshatin Belorta, Korçë, me precedent të mëparshëm penal në fushën e kontrabandës.
Në bazë të informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore se një shtetas do të kontrabandonte bagëti të imëta, nga Maqedonia e Veriut në Shqipëri, u organizua puna me qëllim lokalizimin dhe ndalimin e tij. Shërbimet e Policisë kapën në rrugën “Goricë-Zvezdë”, në afërsi të fshatit Zvezdë, Maliq, shtetasin D. Xh., duke transportuar me kamionçinë, 28 krerë bagëti të imëta (dhi), të pamatrikulluara, pa dokumentacionin përkatës.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan bagëtitë, së bashku me mjetin që shërbente për transportimin e tyre, si dhe një shumë parash.
Vijon puna për vënien përpara përgjegjësisë ligjore të shtetasve të tjerë të implikuar në këtë veprimtari të kundërligjshme.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.