DVP Gjirokastër
Finalizohet nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, në bashkëpunim me Sektorin e Policisë Rrugore, Sektorin Operacional dhe me Prokurorinë e Gjirokastrës, operacioni i koduar “Turn 1”, për goditjen e një rasti të dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit.
Transportonte me automjet, drejt Kakavijës, 5 emigrantë nga vendet e treta, që synonin të kalonin ilegalisht kufirin me Greqinë, kapet dhe vihet në pranga 19-vjeçari, shtetas pakistanez.
Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë, në aksin rrugor “Tepelenë-Memaliaj”, i kanë bërë shenjë ndalimi një automjeti me të cilin dyshohej se po transportoheshin emigrantë. Drejtuesi i automjetit nuk i është bindur shenjës për ndalim por ka vijuar lëvizjen me shpejtësi për disa minuta dhe më pas ka braktisur automjetin.
Nga veprimet e shpejta hetimore u identifikua dhe u vu në pranga drejtuesi i automjetit, shtetasi pakistanez A. A., 19 vjeç, banues në Pakistan.
Automjeti me të cilin transportoheshin emigrantët u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.