DVP Fier/Vihet në pranga 1 shtetas dhe procedohen në gjendje të lirë 6 të tjerë, për vepra penale të ndryshme

DVP Fier/Vihet në pranga 1 shtetas dhe procedohen në gjendje të lirë 6 të tjerë, për vepra penale të ndryshme.

Specialistët e Sektorit të Policisë Rrugore të DVP Fier ndaluan shtetasin e shpallur në kërkim Ledion Brahimi, 27 vjeç, banues në Fier, pasi është dënuar me 1 muaj dhe 10 ditë burgim, për veprat penale “Drejtim i automjetit në menyrë të parregullt” dhe “Mosbindja ndaj urdhërit të punonjësit të policisë të rendit publik”.

Gjithashtu, këta specialistë referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin Ë. M., 64 vjeç, banues në Divjakë, pasi teksa drejtonte një automjet (traktor) pa targa, dyshohet se për shkak të problemeve shëndetësore (luhatje tensioni), ka rënë nga automjeti, pasagjerja, bashkëshortja e 64-vjeçarit, shtetasja A. M., 65 vjeçe, e cila është në kujdesin e mjekëve.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit:

-F. M., 42 vjeç dhe A. P., 32 vjeç, të dy banues në Fier, pasi dyshohet se keqtrajtonin vajzën e tyre 13-vjeçare, e cila aktualisht është akomoduar në Shërbimin e Strehimit Emergjent dhe të Sigurtë “Shtëpia e ngjyrave”;

-A. M., 50 vjeç dhe A. M., 25 vjeç, të dy banues në Cakran, pasi dyshohet se për motive të dobëta, kanë goditur me sende të forta, një 59-vjeçar.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lushnjë referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin A. Ç., 69 vjeç, banues në Kolonjë, pasi dyshohet se për motive të dobëta, ka kanosur vëllanë e bashkëshortes së tij.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.

Informacione paraprake:

-Mbrëmjen e djeshme, në fshatin Sulzotaj, dyshohet se është mbytur duke ngrënë ushqim, shtetasi F. J., 51 vjeç. Trupi i 51-vjeçarit është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore, për të përcaktuar shkakun e vdekjes.

-Mëngjesin e sotëm, në lagjen “Sheq i vogël”, automjeti që drejtonte shtetasi E. M., 34 vjeç, ka përplasur biçikletën me të cilën lëvizte shtetasi K. I., 49 vjeç. Si pasojë, 49-vjeçari është në spital, në kujdesin e mjekëve.

Grupe të posaçme hetimore po punojnë për të dokumentuar me prova ligjore, rrethanat e 2 rasteve.