DVP Fier – Vihen në pranga 2 shtetas, procedohet penalisht 1 tjetër

I vuri zjarrin një sipërfaqeje toke, procedohet penalisht 39-vjeçari.

Vihen në pranga 2 shtetas të tjerë, për dhunë në familje.

Divjakë/Në vijim të punës hetimore për identifikimin dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të autorëve të zjarrvënieve të qëllimshme apo nga pakujdesia, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Divjakë referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi penal për shtetasin L. C., 39 vjeç, banues në Dushk, pasi ka ndezur zjarr për djegien e barërave në tokën e tij, në fshatin Grabiam, dhe si pasojë e përhapjes së flakëve është djegur një sipërfaqe toke me prodhime bujqësore.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Fier apelon për të gjithë banorët, që në asnjë rast mos shkaktojnë zjarrvënie, sepse do të përballen me ligjin. Policia fton qytetarët që të denoncojnë në numrin 112 dhe në Komisariatin Dixhital, çdo rast të zjarrvënies apo të paligjshmërisë në tërësi, duke iu garantuar anonimatin dhe reagim të shpejtë e të paanshëm nga strukturat policore.

Nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Fier u arrestua në flagrancë shtetasi B. M., 62 vjeç, banues në Peshtan, Fier, pasi ka ushtruar dhunë psikologjike ndaj motrës së tij.

Nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Lushnjë u arrestua në flagrancë, për veprën penale “Dhuna në familje”, shtetasi E. Q., 34 vjeç, banues në Golem, Lushnjë, pasi ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëjetueses së tij.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.