DVP Elbasan/ Vihen në pranga 3 shtetas dhe procedohet në gjendje të lirë një tjetër, për vepra të ndryshme penale.
Vodhën para dhe produkte, në biznese të ndryshme në Librazhd, vihen në pranga 2 shtetas (bashkëpunëtorë).
Procedohet në gjendje të lirë, për shkak të moshës, bashkëpunëtori tjetër.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Librazhd, si rezultat i veprimeve proceduralo-hetimore të kryera për të goditur rastet e vjedhjeve, si dhe për të zbardhur ato të ndodhura më parë, kanë arrestuar shtetasit E. Xh., 20 vjeç, banues në Durrës dhe A. O., 20 vjeç, banues në Librazhd, si dhe referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për një 17-vjeçar, banues në Librazhd.
Nga veprimet hetimore, ka rezultuar se këta 3 shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në datat 28.12.2022 dhe 01.02.2023, kanë vjedhur në 2 dyqane të ndryshme në Librazhd, shuma parash, celularë dhe produkte të tjera.
Vijon puna për dokumentimin e plotë të vjedhjeve të tjera që mund të kenë kryer këta shtetas.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Elbasan arrestuan në flagrancë shtetasin V. B., 47 vjeç, banues në Elbasan, pasi ka ushtruar dhunë fizike ndaj nënës së tij. Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast, gjatë kontrollit në banesën e 47-vjeçarit, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan, një granatë dore dhe disa fishekë luftarak.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, për veprime të mëtejshme.
Elbasan/Informacion paraprak
Gjatë orëve të para të mëngjesit të sotëm, në unazën e qytetit, shtetasi J. T., 34 vjeç, banues në Elbasan, duke drejtuar automjetin, ka humbur kontrollin dhe për pasojë, është përplasur me trafikndarësen.
Nga përplasja, automjeti i shtetasit J. T., ka marrë flakë dhe ka shkaktuar si pasojë, vetëm dëme materiale.
Grupi hetimor vijon punën për përcaktimin e shkakut të aksidentit.