DVP Elbasan – Vihen në pranga 2 shtetas

DVP Elbasan

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Elbasan dhe ato të Forcës së Posaçme Operacionale të DVP Elbasan, si rezultat i shkëmbimit të informacioneve me shërbimet e Komisariatit të Policisë Himarë, kapën dhe ndaluan shtetasin e shpallur në kërkim nga ky komisariat, Xh. Gj., 28 vjeç, banues në Elbasan, pasi në bashkëpunim me një shtetas tjetër (ende në kërkim nga Policia e Himarës), më datë 1 shtator 2023, kanë vjedhur shuma parash në lekë dhe në euro, në një biznes në Himarë. Veprimet e mëtejshme procedurale do t’i kryejnë shërbimet e Komisariatit të Policisë Himarë.

Specialistët e Qarkullimit Rrugor arrestuan në flagrancë shtetasit P. T., 58 vjeç, banues në Belsh, dhe R. H., 60 vjeç, banues në Elbasan, pasi u kapën duke drejtuar automjetin përkatës, në gjendje të dehur. Materialet procedurale për këto raste, i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.

Në vijim të informacionit paraprak të dhënë më datë 02.09.2023, sipas të cilit shtetasi T. A. kishte njoftuar Policinë, se i ishte larguar nga banesa babai, shtetasi R. A., 80 vjeç (me probleme të shëndetit mendor), për të cilin shtetasi T. A. dyshonte se ishte mbytur në lumin Devoll, ju informojmë se pas kërkimeve të pandërprera nga toka dhe përgjatë rrjedhës së lumit, mbrëmjen e djeshme, u bë e mundur gjetja e shtetasit R. A., në një zonë në afërsi të banesë së tij. Ky shtetas iu dorezua familjarëve, në gjendje të mirë shëndetësore.