DVP Durrës – Procedohet penalisht 1 shtetase, arrestohen në flagrancë 2 të tjerë

Procedohet penalisht dhe administrativisht një shtetase që mbante hapur lokalin e saj, me muzikë, gjatë orës policore, dhe nuk iu bind urdhrit të punonjësve të Policisë.

Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Durrës u procedua penalisht për veprën penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”, shtetasja E. S., banuese në Durrës, pasi nuk i është bindur urdhrit të punonjësve të Policisë, për mbylljen e lokalit që e mbante hapur, me muzikë, gjatë orës policore.

Gjithashtu, për këtë shtetase është vendosur masa administrative 1.000.000 lekë, për ushtrim aktiviteti në kundërshtim me Aktin Normativ.

Po nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Durrës u arrestua në flagrancë për veprën penale “Mashtrimi”, shtetasi M. P., 31 vjeç, pasi është kapur në flagrancë, në lagjen nr.1, në vendin e quajtur “Pishinat e qytetit”, duke u marrë para drejtuesve të mjeteve që parkonin në parkim publik.

Specialistet e Qarkullimit Rrugor arrestuan në flagrancë shtetasin F. H., 31 vjeç, banues në Durrës, pasi u kap duke drejtuar automjetin, në gjendje të dehur.

Materialet kaluan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.