DVP Durrës/Goditen 4 raste të veprimtarisë së paligjshme të lojërave të fatit

DVP Durrës/Vijojnë kontrollet intensive për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë së paligjshme të lojërave të fatit.

Evidentohen dhe goditen 4 raste të kësaj veprimtarie. Arrestohen 2 shtetas dhe procedohen në gjendje të lirë 2 të tjerë, pasi u kapën në flagrancë në 4 lokale, duke organizuar lojëra fati, me celularë.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës, në vijim të goditjeve të njëpasnjëshme ndaj veprimtarisë së kundërligjshme të lojërave të fatit, si rezultat i kontrolleve të vazhdueshme në ambiente të ndryshme, kanë zbuluar 4 lokale ku organizoheshin lojëra fati (baste sportive).

Në vijim të veprimeve u arrestuan shtetasit D. S., 36 vjeç, E. H., 61 vjeç, të dy banues në Durrës, si dhe u referuan materialet në Prokurori ku ka nisur procedimi në gjendje të lirë për shtetasit N. Ll., 20 vjeç dhe K. K., 49 vjeç, të dy banues në Durrës.

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar 4 celularët që përdoreshin për këtë veprimtari të paligjshme.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.